Rama nuk gjen qetësi, pas Ballukut një tjetër TRONDITJE në Qeveri

338

Kryetari i Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), Altin Dumani, konfirmoi sot gjatë raportimit në Kuvend se ka nisur një procedim penal lidhur me abuzimet e dyshuara me fondet e programit europian IPARD (Instrumenti për Asistencën e Para-Aderimit për Zhvillimin Rural).

Dumani theksoi se çështja është në fazën e hetimeve paraprake dhe se po bashkëpunohet ngushtë me Zyrën Europiane Kundër Mashtrimit (OLAF) për zbardhjen e plotë të rastit.

Në përgjigje të pyetjes së deputetes Elda Hoti nëse hetimet përfshijnë edhe ish-ministren e Bujqësisë, Frida Krifca, kreu i SPAK u shpreh se nuk përjashtohet askush.

Programi IPARD, i destinuar për zhvillimin rural dhe bujqësor, u pezullua përkohësisht nga Komisioni Europian pasi OLAF nxori në pah shkelje serioze.

Kallëzimi i OLAF-ut për 134 milionë euro, i bërë që në qershor 2021, përfshinte Frida Krifcën dhe shtatë vartës të saj. Pezullimi i financimit erdhi me kërkesën që Shqipëria të marrë masa urgjente për të mbrojtur interesat financiare të BE-së.

Kreu i SPAK theksoi se hetimi për IPARD po has vështirësi të natyrës ndërkombëtare, pasi Prokuroria është “e kushtëzuar” nga veprimet dhe informacioni që pritet të vijë nga autoritetet europiane, veçanërisht OLAF.

Megjithatë, konfirmimi i një procedimi penal dhe mos-përjashtimi i emrave të lartë nga hetimi, tregon se dosja IPARD tashmë është zyrtarisht nën fokusin e drejtësisë shqiptare.

Share This Article