Skip to content

Arrati si në filma hollivudianë, zbardhet metoda që përdori Taulant Toma. Mjeshtri po kërkohet në gjithë Italinë

Posted on December 9, 2025December 9, 2025 By Punnik

Po dalin detaje të reja mbi largimin e pazakontë të Taulant Tomës nga njësia e sigurisë së lartë në burgun e Operas në Milano. Hetuesit italianë kanë rindërtuar skemën e përdorur nga 41-vjeçari, i cili ka mundur të largohet pa u vënë re, duke shfrytëzuar një plan të përgatitur me imtësi.

Sipas burimeve hetimore, Toma ka prerë hekurat e dhomës dhe ka përdorur çarçafë të lidhur për të zbritur në oborr. Më pas, ai ka ndërtuar vetë një vegël në formë ganxheje, rreth 6 metra të gjatë, e bërë me materiale druri, me të cilën ka kapërcyer murin rrethues.

Lëvizja është kryer në momentin e ndërrimit të turnit të rojeve, çka besohet se i ka ndihmuar të shmangë vëmendjen.

Muri i jashtëm i burgut është i lartë 6 metra, por 41-vjeçari ka arritur të ngjitet e më pas të zhduket në errësirën e natës. Prej asaj kohe, strukturat e sigurisë në të gjithë Italinë janë në kërkim të tij, duke përdorur grupe të shumta terreni dhe analiza të pamjeve nga kamerat.

Taulant Toma është i njohur për aftësinë për t’u larguar nga institucionet ku ka qëndruar më herët. Në vitin 2013 u largua nga një burg në Parma së bashku me një tjetër të dënuar, dhe më pas u lokalizua pas disa muajsh në Belgjikë.

Edhe aty, në një qendër pranë Liège, ai arriti të largohej sërish. Rasti i parë i dokumentuar i largimit të tij daton në vitin 2009, në burgun e Ternit.

Burgu i Operas, ku ndodhej deri së fundmi, strehon rreth 1338 persona dhe administrohet nga 533 oficerë. Aktualisht, Toma vijon të jetë i kërkuar në mbarë vendin, ndërsa hetimet po analizojnë çdo detaj të mënyrës së largimit dhe çdo mundësi të mundshme ndihme që ai mund të ketë pasur.

/noa.al

Aktualitet

Post navigation

Previous Post: “Djali po përkëdhelte pitbullin, kur…”, flet nëna e vogëlushit shqiptar, që u sulmua për vdekja nga qeni
Next Post: U harxhuan plot 260 milionë euro, por rruga Qukës-Qafë Plloçë nuk gjen qetësi, pëson shembje edhe segmenti që lidhet me Pogradecin

Copyright © 2026 .

Powered by PressBook WordPress theme