Kush do të jetë pasardhësi i Altin Dumanit? Sot zgjidhet kreu i SPAK! SHBA, BE dhe Britania kërkojnë transparencë

49

Sot zgjidhet kreu i ri i SPAK-ut. Teksa në mbledhjen që do të mbahet paraditen e sotme në orën 09:00, Këshilli i Lartë i Prokurorisë do të zgjedhë drejtuesin e ri të Prokurorisë së Posaçme, që do të zëvendësojë Altin Dumanin, puna e këtij të fundit në krye të SPAK është vlerësuar nga SHBA.

Katër kandidatët në garë për kreun e ri të SPAK janë prokurorët Klodian Braho, Elvin Gokaj, Doloreza Musabelliu dhe Adnan Xholi. Drejtuesi i ri i Prokurorisë së Posaçme do të zgjidhet mes prokurorëve të SPAK për një mandat 3-vjeçar pa të drejtë rikandidimi.

Një zyrtar i Ambasadës së SHBA-së në Tiranë reagoi dje për News24 lidhur me procesin e zgjedhjes së drejtuesit të ri të Prokurorisë së Posaçme (SPAK).

I pyetur nga gazetarja Klodiana Lala, ai theksoi se pavarësia dhe funksionimi i pandikuar i SPAK janë vendimtare për sigurinë e qytetarëve shqiptarë.

“SPAK mbetet një partner i çmuar i Shteteve të Bashkuara në luftën kundër krimit ndërkombëtar,” deklaroi zyrtari amerikan, duke nënvizuar mbështetjen e vazhdueshme të SHBA-së për institucionet e drejtësisë.

Zyra e Bashkimit Evropian në Shqipëri, bëri me dije përmes një postimi në rrjetin social Facebook se Ambasadori BE-së, Silvio Gonzato do të jetë i pranishëm së bashku me ambasadorët e vendeve anëtare, gjatë procedurës së përzgjedhjes së kreut të ri të SPAK.

Ai shprehu besimin se anëtarët e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, do të tregojnë nivelin më të lartë të përgjegjshmërisë dhe do të sigurojnë që Prokuroria e Posaçme të drejtohet nga një person me integritet të padiskutueshëm, i pavarur, profesionist dhe i përkushtuar ndaj standardeve më të mira të BE-së.

Edhe Ambasada Britanike në Tiranë reagoi për zgjedhjen e drejtuesit të ri të SPAK. “Zgjedhja e Drejtuesit të SPAK është një hap i rëndësishëm në përparimin e Shqipërisë për forcimin e shtetit të së drejtës dhe luftën kundër korrupsionit. Është e rëndësishme që Këshilli i Lartë i Prokurorisë ta realizojë këtë proces në mënyrë të lirë, të drejtë dhe transparente.

Mbretëria e Bashkuar pret me padurim të bashkëpunojë me këdo që do të zgjidhet, për të vazhduar dhe forcuar marrëdhënien tonë të shkëlqyer”, shkruhet në postimin e Ambasadës Britanike në Facebook.

Share This Article