Mblidhet sot Kryesia e Partisë Demokratike, Berisha: Vendoset me urgjencë për fillimin e revoltave dhe protestave

724

Kryesia e Partisë Demokratike mblidhet sot në orën 13:00 për të vendosur datën e nisjes së protestave, pas paralajmërimit të bërë një ditë më parë nga kreu i PD-së, Sali Berisha, gjatë turit të takimeve me qytetarët në Elbasan.

Berisha i cilësoi zgjedhjet e 11 majit si një “farsë”, duke akuzuar qeverinë se ka përdorur mjetet e pushtetit ekzekutiv për të ndikuar votën e qytetarëve. Sipas tij, punësimet e përkohshme, lejet e ndërtimit, certifikatat e pronësisë dhe lejet e legalizimit janë përdorur për të siguruar vota.

“Nesër në drekë mblidhet Kryesia e PD-së. Vendoset me urgjencë për fillimin e revoltave dhe protestave”, u shpreh Berisha, duke theksuar se protestat nuk do të ndalen deri në largimin e qeverisë.

Ai shtoi se ka qytetarë të gatshëm për të protestuar që tani.

“Edhe nëse janë 3 mijë shqiptarë që nesër dalin të përballen, ne me ta do të ngrihemi. Dhe do të shtohemi. Nuk mund të qëndrojmë më përballë një farse”, deklaroi Berisha, duke e cilësuar situatën si të papranueshme në një vend demokratik.

Kreu i PD-së bëri gjithashtu thirrje për angazhimin e të rinjve në aktivitetin politik dhe protestues.

“Të rinjtë përmbysën diktaturën e Enver Hoxhës. Duhet të bëjmë gjithçka për organizimin tonë dhe për përfshirjen e të rinjve”, theksoi ai.

Share This Article