BKH është shënjestra e re e Ramës? Akuza e tij e re: Kanë bërë dhe ca gjëra të tjera më të rënda!

471

Rama reagon pas sqarimit të BKH-së: Nuk e kritikova për armëmbajtjen, por për mungesë etike profesionale

Kryeministri Edi Rama ka ashpërsuar qëndrimin e tij ndaj Byrosë Kombëtare të Hetimit, duke deklaruar se episodi i përmendur prej tij lidhur me sjelljen e disa hetuesve në Kryeministri nuk është i vetmi dhe as më problematiku.

Reagimi i Ramës vjen pas sqarimit zyrtar të BKH-së, e cila mohoi çdo përplasje me Gardën e Republikës dhe theksoi se procedurat janë ndjekur në mënyrë të rregullt. Rama pranon se BKH-ja ka reaguar publikisht ndaj njërit prej episodeve që ai përmendi gjatë podcast-it “FLASIM”, por nënvizon se problemi shkon përtej këtij rasti konkret.

Sipas kryeministrit, kritika e tij nuk ka qenë për armëmbajtje pa leje, por për atë që ai e cilëson si mungesë etike dhe profesionale, që sipas tij u reflektua në tentativën për të hyrë në Kryeministri me armë, pavarësisht rregullave të sigurisë së institucionit.

“Ata kanë cituar ligjin për armëmbajtjen, kur në fakt unë nuk i kritikova për këtë, por për padijen etike dhe ligjore që i shtyu të donin të hynin në Kryeministri me armë”, shprehet Rama në reagimin e tij.

Kryeministri tha se, po të ishte një rast i izoluar, nuk do ta kishte bërë pjesë të diskutimit publik, por sipas tij, ky episod është ndër më të lehtët krahasuar me raste të tjera që ai i cilëson si më të rënda dhe më shqetësuese.

Rama shton se, sipas tij, disa përfaqësues të BKH-së kanë shfaqur në mënyrë të përsëritur boshllëqe serioze etike dhe profesionale, duke e konsideruar këtë si pjesë të problematikave të trashëguara që rrezikojnë funksionimin e drejtësisë së re.

Megjithatë, kryeministri rithekson se mbështet Reformën në Drejtësi dhe se qëllimi i kritikave nuk është minimi i saj, por nevoja për një reflektim serioz, profesional dhe ndërinstitucional.

Ai thotë se duhet garantuar pavarësia e gjyqësorit dhe suksesi i reformës, por paralajmëron se nuk duhet lejuar që procesi i shërimit të kthehet në një problem më të madh se vetë problematika, duke vënë në rrezik liritë, të drejtat, administratën dhe ekonominë e vendit.

Deklarata e plotë e Ramës

Qenka përgjigjur publikisht edhe BKH-ja ndaj njërit prej një sërë episodesh të mungesës së etikës profesionale të anëtarëve të asaj trupe, të cilin e ceka sot në podkastin FLASIM, duke folur për simptomat shqetësuese të sëmundjeve të vjetra në organizmat e drejtësisë së re!

Ata kanë cituar ligjin, sipas të cilit mund të mbajnë patllake, kur në fakt unë nuk i kritikova për armëmbajtje pa leje, po për padijen etike dhe ligjore që i shtyu të donin të hynin në kryeministri me patllake siç e thonë edhe vetë në deklaratë.

Sikur të ishte ky një rast i veçuar, padiskutim që nuk do ta kisha cekur në kuadër të qëndrimit të sotëm mbi simptomat e lartpërmendura, por fatkeqësisht ky ishte më i ëmbli i episodeve që munda të gjej, për trimoshat e BKH-së që shfaqin shpesh boshllëqe shqetësuese etike e profesionale – thënë kjo shumë ëmbëlsisht për këtë pjesë të problematikës së sëmundjeve të vjetra në organizmat e drejtësisë së re.

Gjithësesi, po e përsëris, ka ardhur koha e një reflektimi serioz, profesional dhe ndërinstitucional, për të ndarë beben e sapolindur nga ujërat e pistë, në një proces historik ku duhet të garantojmë suksesin e Reformës në Drejtësi, duke garantuar medoemos pavarësinë e gjyqësorit, po ku po ashtu, nuk mundet kurrësesi të lejojmë që kura te bëhet problem më i madh se sëmundja, duke rrezikuar liritë e të drejtat dhe frymëmarrjen e administratës e të ekonomisë së vendit.

Share This Article