Dogji 2 automjete! Vihet në pranga 19-vjeçari në Shkodër, ja çfarë iu gjet në banesë

981

Policia e Shkodrës ka zbardhur djegien e dy makinave në këtë qytet, ndërsa ka arrestuar një 19-vjeçar të dyshuar në lidhje me rastin. Në kudër të operacionit të koduar “Traces”, në pranga ka rënë shtetasi K. M., 19 vjeç, banues në Shkodër, i dyshuar si autor i djegies së dy automjeteve.

Gjithashtu, filloi procedimi penal në gjendje të lirë për një 16-vjeçar, i dyshuar si bashkëpunëtor. “Si rezultat i veprimeve të thelluara për zbardhjen e djegies së qëllimshme të dy automjeteve në pronësi të shtetasve Z. K.

dhe A. D., ndodhur mëngjesin e datës 09.12.2025, në lagjen “Iliria”, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Shkodër, bazuar në provat e grumbulluara si rezultat i veprimeve hetimore intensive, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Traces””, thuhet në njoftimin e policisë. Sipas raportimeve, në banesën e 19-vjeçarit u gjetën dhe u sekustruan në cilësinë e provës materiale një armë zjarri mitraloz i lehtë, municion luftarak, një sasi lënde narkotike kanabis dhe veshjet e përdorura gjatë vendosjes së zjarrit.

Ndërkohë, vijon puna për dokumentimin e plotë ligjor të kësaj ngjarjeje. Materialet procedurale iu kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

Share This Article