Nxjerrje sekreti shtetëror, lojëra fati dhe armëmbajtje pa leje! Dënohet me burg ish kreu i SHISH dhe djali i tij

428

Ish kreu i Shërbimit Informativ të Shtetit në Berat, Aleksandër Shulla dhe djali i tij, Pandeli Shulla janë dënuar me burg për tre vepra penale organizimi i lojërave të fatit, armëmbajtje pa leje dhe nxjerrje të sekretit hetimor.

Aleksandër Shulla u dënua në total me 2 vite e 10 muaj burg. 2 vite e 4 muaj për veprën penale të nxjerrjes së sekretit hetimor, dënim që iu ul në 1.4 vite për shkak të gjykimit të shkurtuar, dhe 6 muaj për armëmbajtje pa leje. Gjykata në fund vendosi konvertimin e dënimit në shërbim prove për një periudhë prej 2 vite e 8 muajsh.

Po ashtu, atij i hiqet e drejta që të ushtrojë funksione publike për të paktën 5 vite.

Ndërsa djali i tij, Pandeli Shulla u dënua për me dy vite burg për organizim lojërash fati dhe në gjykim të shkurtuar, iu ul në 1 vit e 4 muaj. Përfundimisht, gjykata vendosi pezullimin e dënimit me burg, duke e vënë në shërbim prove për 2 vite e 8 muaj burg.

Sipas Prokurorisë, Pandeli Shulla organizonte lojëra fati në një lokal në lagjen “30 Vjetori”. Gjatë kontrollit në banesën e të atit, Aleksandër Shulla, ish kreu i SHISH, u gjetën municione të kalibrit 7.62 mm dhe dy USB.

Asokohe, Shulla pretendoi se municionet ishin suvenirë të harruar pas dorëzimit të armëve, por verifikimet treguan se ai kishte kthyer armatimin sipas rregullave.

Nga ekspertimi rezultoi se në USB ndodheshin materiale të klasifikuara “sekret”, të administruara vetëm nga SHISH, të cilat ishin kopjuar në kundërshtim me ligjin.

Në përfundim, prokuroria vlerësoi se ka prova të mjaftueshme se Aleksandër dhe Pandeli Shulla kanë kryer veprat penale për të cilat akuzohen, ndërsa ish kreu i SHISH ka shkelur sigurinë e informacionit të klasifikuar duke marrë dhe mbajtur materiale sekrete edhe pas largimit nga detyra.

Njoftimi i plotë:

Ish-kreu i SHISH dhe djali i tij dënohen me kërkesë të Prokurorisë Berat për 3 vepra penale ‘Organizimi i lojërave të fatit’, ‘Mbajtja e Armëve’ e ‘Nxjerrje e sekretit shtetëror’

Me kërkesë të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Berat u shpallën fajtor dhe dënuan shtetasit P.Sh. ish-drejtori i Shërbimit Informativ Shtetëror për veprën penale ‘Organizimi ose ushtrimi i veprimtarive të lojërave të fatit në kundërshtim me ligjin’ parashikuar nga neni 197/1 i Kodit Penal dhe shtetasi A.Sh., djali i tij, për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” parashikuar nga neni 278/3 i Kodit Penal dhe “Tregimi i sekretit shtetëror nga personi që i është besuar” parashikuar nga neni 294/1 i Kodit Penal.

Nga hetimet mbi procedimin penal nr.370 të vitit 2023, pas informacioneve se në një ambient në lagjen ’30 Vjetori’ në një lokal që drejtohej nga shtetasi P.Sh., po zhvilloheshin lojëra fati, u konstatuan kompjuterat e markave të ndryshme, të ndezura dhe në ekrane u shfaqën lojrat online të ngjashme me ato të Adex Casino.

Nga verifikimi teknik, u provua se nëpërmjet një aplikacioni apo software të instaluar në këto paisje elektronike, duke u lidhur në internet, realizoheshin lojëra fati online.

Gjatë hetimeve, u ushtrua kontroll i banesës së shtetasit A.Sh., babait të tij, ku u konstatuan një krëhër metalik ngjyrë bronxi me 5 fishekë, të paplasur të kalibrit 7.62 mm, një çantë dore ngjyrë të zezë brenda të cilës u gjetën 3 krehër, të mbushur secili me nga 7 fishekë të kalibrit 7.62 mm dhe dy USB me mbishkrimet “Turbox” dhe “Kingston”.

Ky shtetas i cili ka ushtruar detyrën si Drejtor i Shërbimit Informativ Berat, shpjegoi se në nëntor të vitit 2023 është larguar nga detyra dhe ka dorëzuar armatimin por ka harruar të dorëzojë municionin e gjetur në banesë nga shërbimet e policisë. Ai sqaroi se, fishekët e kalibrit 7.62 janë fishek të armëve të vjetra që i ka gjetur të godina e vjetër e ShIK-ut dhe i ka marrë si suvenir dhe i ka harruar në banesë.

Por nga verifikimet e kryera nga prokuroria rezultoi se armatimet ishin kthyer dhe kjo provohej edhe nga fletëhyrja që ndodhet në institucion.

Ndërkohë që nga verifikimet e kryera rezultoi se, dy nga materialet e ndodhura në Usb-në me emërtimin “Usb drive” janë të klasifikuara në nivelin “sekret” dhe administrohen në SHISH në kopje të vetme. Kopjimi ose shumëfishimi i tyre është i ndaluar dhe në kundërshtim me aktet që normojnë punën e SHISH.

Marrja e këtyre materialeve në kundërshtim me rregullat e sigurisë së informacionit të klasifikuar, që ka rezultuar me ekspozimin e pjesshëm ose tërësor, në mënyrë të paautorizuar, përbën shkelje të sigurisë së informacionit të klasifikuar.

Në përfundim të hetimeve paraprake, pas analizës në tërësi të të dhënave dhe provave të marra, vijmë në përfundimin se, ka të prova të mjaftueshme se të pandehurit P.Sh dhe A.Sh. kanë kryer veprat penale për të cilat akuzohen.

Rezulton përfundimisht e provuar se i pandehuri A. Sh. ka qenë me detyrë punonjës i Shërbimit Informativ të Shtetit dhe ka kopjuar materiale që, sipas ligjit të njohur publikisht, përbëjnë sekret shtetëror, dhe i janë besuar për shkak të detyrës.

Marrja e këtyre materialeve në kundërshtim me rregullat e sigurisë së informacionit të klasifikuar, dhe përhapja e tyre në dy Usb brenda në banesën e të pandehurit, kur ai nuk ushtronte më as detyrën e punonjësit të shërbimit informativ të shtetit, që ka rezultuar me ekspozimin e pjesshëm ose tërësor, në mënyrë të paautorizuar, përbën shkelje të sigurisë së informacionit të klasifikuar.

Për sa më sipër, në përfundim të hetimit, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të përgjithshëm, Berat kërkoi dhe u pranua nga gjykata:

Deklarimin fajtor të të pandehurit P.

Sh., për kryerjen e veprës penale të “Organizimi ose ushtrimi i veprimtarive të lojrave të fatit në kundërshtim me ligjin” parashikuar nga neni 197/1 i Kodit Penal dhe dënimin e tij me 2 (dy) vite burgim;
Në zbatim të nenit 406 pika 1, uljen e dënimit me 1/3, dhe dënimit e të pandehurit përfundimisht me 1 (një) vit e 4 (katër) muaj burgim;
Në zbatim të nenit 59 të Kodit Penal, të urdhërohet pezullimi i ekzekutimit të vendimit të dënimit me burgim, duke e vënë në provë të pandehurin për një afat prej 2 (dy) vite e 8 (tetë) muaj me kusht që brenda kësaj periudhe të mos kryejë vepër tjetër penale dhe të mbajë kontakte të rregullta me zyrën e Shërbimit të Provës së vendbanimit të tij;
Deklarimin fajtor të të pandehurit A. Sh. për kryerjen e veprës penale të “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” parashikuar nga neni 278/3 i Kodit Penal dhe dënimin e tij me 6 (gjashtë) muaj burgim;
Deklarimin fajtor të të pandehurit A.

Sh. për kryerjen e veprës penale të “Tregimi i sekretit shtetëror nga personi që i është besuar” parashikuar nga neni 294/1 i Kodit Penal dhe dënimin e tij me 2 vite burgim;
Në zbatim të nenit 406 pika 1, uljen e dënimit me 1/3, dhe dënimit e të pandehurit përfundimisht me 1 vit e 4 muaj burgim;
Në zbatim të nenit 59 të Kodit Penal, të urdhërohet pezullimi i ekzekutimit të vendimit të dënimit me burgim, duke e vënë në provë të pandehurin A.Sh. për një afat 2 vite e 8 muaj me kusht që brenda kësaj periudhe të mos kryejë vepër tjetër pnale; dhe
Në zbatim të ne nit 35 të Kodit Penal të pandehurin A.Sh., i hiqet e drejta të ushtrojë funksione publike për një periudhë prej 5 vitesh.

Share This Article