Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha tha se ka informacione se takimi i një ditë më parë i Ervin Salianjit në Elbasan është organizuar nga Suel Çela.
Në një deklaratë për mediat nga selia blu, Berisha u shpreh se bashkëpunimi me krimin është vija e kuqe ndarëse për të.
Berisha: Në të gjithë karrierën time politike dhe në ditët më të vështira kurrë nuk bërë kompromis me krimin. Nëse e ndjek këtë betejë pavarësisht nga çmimi që ka patur kam bindjen më të thellë se ka qenë dhe është veprimi më i drejtë. Vija e kuqe e Sali Berishës është ndarëse bashkëpunimi me krimin.
Që një anëtar i korruptuar i kryesisë dhe anëtar i këshillit kombëtar të organizojë me Suel Çelën, kriminelin më të rrezikshëm të Elbasanit, kreut të njërit prej karteleve të fuqishme në Evropë, takim, kjo është e papranueshme dhe kurrë nuk mund të kalojë.
Në këtë kontekst ai që ndërmerr një veprim të tillë ai tejkalon vijën e kuqe dhe është përgjegjës për veten e tij. Sa i takon takimit që thoni, kemi patur informacione, jo një por disa, të cilat pohojnë se Suel Çela ka qenë organizator në hije i takimit. Përshëndes strukturat e PD Elbasan që e bojkotuan me neveri një takim të tillë.

