E pandehur dhe në hetim për Tunelin e Llogarasë dhe Unazën e Madhe, sot në Apelin e GJKKO zhvillohet seanca për Ballukun, kërkon heqjen e masave të sigurisë! SPAK do arrestimin

595

Në Apelin e GJKKO zhvillohet sot seanca mbi kërkesën e Belinda Ballukut për të hequr masat e sigurisë të vendosura ndaj saj, konkretisht pezullimin nga detyra dhe ndalimin e daljes jashtë shtetit, të vendosura nga GJKKO.

Ankimi i Belinda Ballukut do të shqyrtohet nga gjyqtarja Miliana Muça.

Ndaj Belinda Ballukut rëndojnë akuzat për shkelje të barazisë në tenderë për tenderin për Tunelin e Llogarasë, aferë kjo me vlerë 210 mln euro dhe për 7 lotet e Unazës së Madhe, projekt për cilin janë prokurouar 450 mln euro.

Heqjen ose zbutjen e masës së sigurisë e ka kërkuar edhe drejtori i KESH Erald Elezi, I cili ndodhet në “arrest në Shtëpi” dhe kreu i ARRSH, Gentian Gjyli.

Kujtojmë që Prokuroria e Posaçme kërkon nga Kuvendit heqjen e imunitetit, me qëllim arrestimin e saj. Në njoftimin zyrtar SPAK sqaron Belinda Balluku është marrë e pandehur për “Shkeljen e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, e kryer në bashkëpunim, e parashikuar në lidhje me procedurën e prokurimit me objekt “Ndërtimi i tunelit të Llogarasë”.

Gjithashtu, Balluku ka marrë cilësinë e personit nën hetim për dyshimin e kryerjes së të njëjtës vepër penale për shtatë procedura të tjera prokurimi me objekt:

“Plotësimi, rakordimi dhe vazhdimi i punimeve Sheshi Shqiponja-Lumi i Tiranës, Loti 1 dhe QMT”;

“Ndërtimi i segmentit rrugor Sheshi Shqiponja-Bulevardi i Ri, Loti 2”;

“Ndërtim i segmentit rrugor Sheshi Shqiponja-Bulevardi i Ri- Shkozë, Urat mbi lumin Tirana”;

“Ndërtimi i Unazës së Jashtme Tiranë, Loti 4”;

“Ndërtim i Unazës së Jashtme Tiranë, Loti 5”;

“Ndërtim i Unazës së Jashtme Tiranë, Loti 6”;

“Ndërtim i Unazës së Jashtme Tiranë, Loti 7”.

Zv.kryeministrja: Do më çmendësh! Për këtë flet ky se ka rënë dakord me Ramën

Bisedat e reja të Ballukut me Berberin

Ditën e djeshme (17 dhjetor) Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka publikuar pjesë nga dosja hetimore e Belinda Ballukut, ku zëvendës kryeministrja komunikon me Evis Berberin për supervizimin e Unazës së Madhe.

Në komunikimet mes tyre përmendet edhe emri i kryeministrit Edi Rama.

Në këto biseda diskutohet mbi hapjen e kontratave të supervizionit, kohëzgjatjen e tyre trevjeçare, si dhe mbi ndikimin financiar dhe vendimmarrjen për hapjen ose jo të proceseve të reja.

Nga komunikimet rezulton shqetësim për faktin se janë hapur disa kontrata supervizioni për mirëmbajtje, si dhe pakënaqësi lidhur me mungesën e informacionit mbi veprimet e ndërmarra.

“Për ketë flet ky se ka rene, dakord me Ramen! E dyta pse ia ke bere per 3 vite ? Se është çmenduri.

Merru me këto se do me çmendesh. Sqaroji atij kurvës qe nuk do hapen procese te reja se nuk lejojnë financat”, i ka thene Balluku, Berberit.

PERGJIMI I PUBLIKUAR NGA BERISHA NGA DOSJA E BELINDA BALLUKUT

Belinda Balluku: I mbuluar nga xhepi vet media… Ty një të kam lënë! Ngele duke e bere çorap”.
Në orën 18:02, Evis Berberi: “Kuptova”.
Në orën 18:05, Belinda Balluku: “Ke nje supervizion mirembajtje”.
Në orën 18:05-18:06, Evis Berberi: “Po Më thuaj”.
Në orën 18:07, shtetasja Belinda Balluku ka dërguar një fotografi, si ajo nga sistemi elektronik i prokurimeve, në të cilën janë listuar procedurat e prokurimit të publikuara nga Autoriteti Rrugor Shqiptar:
Në datën 17.03.2022, konkretisht: Loti 4: Kontrata D “Supervizon punimesh mirëmbajtje me performancë e akseve kryesore të rajonit Jugor”;
Loti 3: Kontrata C “Supervizon punimesh mirëmbajtje me performancë e akseve kryesore të rajonit Qendor dhe Juglindor”;
Loti 2: Kontrata B “Supervizon punimesh mirëmbajtje me performancë e akseve kryesore të rajonit Qendor dhe Verilindor”;
Loti 1: Kontrata A “Supervizon punimesh mirëmbajtje me performancë e akseve kryesore të rajonit verior”; “Supervizion per Mirembajtjen me performance të segmenteve rrugore të shtuara me VKM nr.

600, date 13.10.2021”.

Pasi dërgon këtë fotografi,
Në orën 18:08-18:09, shtetasja Belinda Balluku: “Per kte flet ky se ka rene dakord me Ramen! Dyta pse ia ke bere për 3 vite? Se është çmenduri!

Merru me kto se do me çmendesh Sqaroji atij kurve qe nuk do hapen procese te reja se nuk lejojne financať”.

Në orën 18:09, Evis Berberi: “Ok”.
Në orën 18:09, Belinda Balluku: “Ca jane kto supervizione qe paske hap ti???”. |
Në orën 18:10, Evis Berberi: “Po pra për tre vite! Janë të mirëmbajtjes “.
Në orën 18:10, Belinda Balluku: “Kane mirembajtjet supervizion?

Se I ke hapur ti? E po nje do ta marr ky super k… ia ka premtuar R”.
Në orën 18:11, Evis Berberi: “Po BB i kishte një të madhe unë i ndava që të akomodonim sa më shumë.
Në orën 18:11, Belinda Balluku: “Sme pëlqen fare qe une nuk di cfare ben ti”.
Në orën 18:11, Evis Berberi: “Po kë të dojë”.
Në orën 18:18, Belinda Balluku: “Jo ke te doje jo”.
Në orën 18:18, Evis Berberi: “Të vi në MIE”.

Pas këtyre komunikimeve të zhvilluara me shtetasen Belinda Balluku, rezulton se shtetasi Evis Berberi komunikon me shtetasin Rais Petrela në aplikacionin “Whatsapp”.

Hetimet per Ballukun

Prokuroria sqaron se nga hetimet janë evidentuar shkelje të barazisë së pjesëmarrësve në tendera dhe ankande publike, në kuadër të dy procedurave të rëndësishme prokurimi.

Në tenderin me objekt ndërtimin e Tunelit të Llogarasë, pjesë e seksionit rrugor Orikum-Himarë, me fond limit më shumë se 18.9 miliardë lekë pa TVSH, të zhvilluar nga ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, janë evidentuar veprime të kundraligjshme të pandehurës Belinda Balluku, e cila në cilësinë e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë ka ndjekur dhe orientuar në vijimësi procedurën e këtij prokurimi publik, prej fazës përgatitore, e deri në momentin e lidhjes së kontratës me operatorin ekonomik fitues.

“E pandehura Belinda Balluku, në bashkëpunim me anëtarët e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, të pandehurit; Evis Berberi, Gentian Gjyli, Erald Elezi, Jetmira Dervishi dhe Mirzeta Kashnica, kanë paracaktuar fituesin e kësaj procedure prokurimi, kanë krijuar avantazhe dhe privilegje të padrejta për bashkimin e operatorëve ekonomikë fitues ‘I….dhe A…..’”, citohet në njoftim.

Po ashtu, shpjegohet se në kohën e kryerjes së veprimeve, i pandehuri Evis Berberi ka mbajtur funksionin si drejtor i Përgjithshëm i Autoritetit Rrugor Shqiptar; Erald Elezi ka qenë drejtor i Drejtorisë së Planifikimit Strategjik dhe Operacioneve në Autoritetin Rrugor Shqiptar; Gentian Gjyli si drejtor i Drejtorisë së Ndërtimit dhe i Mirëmbajtjes në Autoritetin Rrugor Shqiptar, ndërsa të pandehurat Jetmira Dervishi dhe Mirzeta Kashnica kanë qenë specialist të nivelit të Lartë në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë.

Tenderi i dytë në të cilin Balluku është gjetur përgjegjëse është ai i Lotit 4 të Unazës së Jashtme Tiranë në vitin 2021, me fond limit 2 miliardë lekë pa TVSH, të zhvilluar nga ARRSH. Sipas SPAK, ka rezultuar se dhe në këtë rast, Balluku ka ndjekur dhe orientuar në vijimësi procedurën e këtij prokurimi publik të zhvilluar nga ARRSH, institucion në varësi të ministrisë që ajo drejton.

Edhe në këtë rast, Balluku akuzohet se në bashkëpunim me Berberin, tre anëtarët e njësisë së prokurimit, shtetasit J.Ç, A.K.

e D.Xh, si dhe anëtarët e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, Erald Elezi, K.K. e M.Sh., kanë paracaktuar fituesin e tenderit duke krijuar avantazhe dhe privilegje të padrejta për bashkimin e operatorëve ekonomikë të shpallur fitues.

Share This Article