“Nuk e diskutoj fare o burrë, jemi goxha lart”- Dosja e AKSHI-t, zbardhen takimet mes Ergys Agasit, Ermal Beqirit dhe Mirlinda Karçanajt: Nardi e ka nxjerrë sekretin…Si i kishin kthyer zyrat në “strofull” pazaresh

578

Në dosjen hetimore të AKSHI-t dokumentohet me pamje takimet e Ergys Agasit me Ermal Beqirin dhe drejtoreshën e këtij institucioni Mirlinda Karçanaj, të cilët akuzohen nga SPAK se janë pjesë e një grupi të strukturuar kriminal.

Gazetarja Klodiana Lala raporton se pamjet janë regjistruar nga Ergys Agasi me kamerën e instaluar në zyrën e tij, e cila ishte e lidhur edhe me celularin.

Në dosjen hetimore të AKSHI-t janë dhjetëra takime.

Në një bisedë  biznesmeni Ermal Beqiri i drejtohet Ergys Agasit duke i thënë se “Informacioni është gjë shumë më e madhe sesa numrat”.

Agasi i përgjigjet me habi “Ue”.

Në një tjetër moment Ermal Beqiri i thotë: Ça me i bo atit…

Ergys Agasi i përgjigjet: Nuk e diskutoj fare o burrë, tashi jemi goxha shumë shumë lart.

Këto biseda janë bërë në vitin 2023

Në një tjetër episod ku e pranishme është edhe drejtoresha e AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj, Ergys Agasi thotë: E ka bërë gati kallëzimin penal për Nardin se e ka nxjerrë sekretin….Edhe filloi pastaj e poa situatën si shkoi, filloi pastaj, jo po Nardi kshu…filloi tu shpjegu.

Pas kësaj bisede, drejtoresha e AKSHI-t Mirlinda Karçanaj largohet.

Nga pamjet filmike të regjistruara rezulton se këto biseda janë bërë në 16 mars 2024 në orën 20:05 të mbrëmjes.

Vendimi i GJKKO 

Kujtojmë që Gjykata e Posaçme vendosi të enjten vazhdimin e masave të sigurimit personal “arrest shtëpie” për drejtoreshën e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, Mirlinda Karçanaj dhe zv.drejtoren Hava Delibashi. Për tre biznesmenët Andis Papa, Gëzim Hoxha e Rogers Rryta mbeti gjithashtu në fuqi masa e “ndalimit për të dalë jashtë vendit”.

Ndërkohë, zv.drejtorit për hetimin e krimit në Policinë e Tiranës, Erion Ismaili iu hoq masa e ndalimit për të dalë vendit, por mbeti në fuqi masa e pezullimit nga detyra.

Për dy të pandehurit e tjerë, Ergys Agasin dhe biznesmenin Ermal Beqiraj, të akuzuar për veprat penale të konkurrencës së paligjshme përmes dhunës, heqjes së paligjshme të lirisë, shkelje të barazisë në tendera, grup i strukturuar kriminal dhe pastrim i produkteve të veprës penale, seanca e verifikimit do të kryhet kur të mundësohet ndalimi i tyre.

Sipas SPAK, të hetuarit kanë detyruar përfaqësues të kompanive pjesëmarrëse në tendera të heqin dorë nga ankimet për procedurat e caktuara të tenderimit, duke i hapur rrugën kompanive të paracaktuara, për të cilat shqyrtimi i ankimimit mund të sillte edhe ndryshimin e renditjes së listës së fituesve.

Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit, AKSHI, është një prej institucioneve më sensitive në vend, pasi menaxhon thuajse të gjithë sistemin e qeverisjes digjitale përmes E-Albania, përfshi dhe ministren me Inteligjencë Artificiale, ndërsa kryen rolin e ndërmjetësit mes qytetarëve dhe institucioneve të ndryshme në lëshimin e qindra dokumenteve.

Agjencia ka qenë herë pas herë nën kritika për mënyrën e menaxhimit dhe tenderat sekretë, të justifikuar me siguri kombëtare, por skema e hetuar nga SPAK zbulon se kjo agjenci dhe informacionet kritike që ajo përpunon iu vunë në dispozicion një grupi kriminal, i cili përdor ndër të tjera pengmarrjen e rivalëve për të siguruar tenderat dhe para publike. Ndërkohë që hetimet e SPAK zbulojnë një skemë abuzimi me paratë publike, po ashtu ngrenë pikëpyetje mbi cënimin e sigurisë kombëtare.

Share This Article