Drejtohej me telefon nga Shqipëria, goditet rrjeti i drogës italo-shqiptar

185

Një organizatë kriminale shqipfolëse, e cila drejtonte trafikun e drogës nga distanca, duke përdorur telefona dhe rrjete sociale nga Shqipëria drejt Italisë, është çmontuar nga autoritetet italiane. Në kuadër të operacionit janë ekzekutuar 18 masa arresti dhe sigurie, ndaj shtetasve shqiptarë dhe italianë.

Operacioni, i koduar “Pater–Turnover 2”, u zhvillua nga Carabinieri të kompanisë Alba, nën koordinimin e Prokuroria e Astit.

Sipas mediave italiane rganizata kishte një strukturë fleksibël, të ndërtuar për të shmangur kontrollet. Trafiku i kokainës zhvillohej kryesisht në zonën e Albës, në rajonin e Piemontes, por komandohej nga Shqipëria, ku ndodheshin drejtuesit kryesorë të rrjetit.

Këta të fundit organizonin furnizimet, shpërndarjen, ndërrimin e personelit dhe pagesat përmes aplikacioneve të komunikimit dhe rrjeteve sociale, pa u larguar nga territori shqiptar.

Hetuesit bëjnë me dije se grupi përdorte një skemë rotacioni: shtetas shqiptarë hynin në Itali me viza turistike 3-mujore për të shpërndarë drogën dhe, pasi u skadonte afati i qëndrimit, ktheheshin në Shqipëri, duke u zëvendësuar menjëherë nga persona të tjerë.

Kjo metodë synonte të ulte rrezikun personal dhe të vështirësonte hetimet.

Hetimi ka zbuluar gjithashtu një skemë të strukturuar pastrimi parash. Të ardhurat nga shitja e drogës transferoheshin në Shqipëri përmes dërgesave të shumta financiare deri në 999 euro, një prag i zgjedhur për të shmangur raportimin automatik të transaksioneve.

Nga verifikimet financiare rezulton se janë transferuar mbi 123 800 euro, ndërsa më shumë se 20 600 euro lidhen drejtpërdrejt me disa prej të dyshuarve, duke përforcuar akuzat për pastrim parash.

Share This Article