Arrestohet në Napoli një nga 100 personat më të rrezikshëm dhe më të kërkuar, ishte fshehur në një bunker brenda apartamentit

340

Policia italiane në Napoli ka arrestuar Ciro Andolfi 49 vjeç, i cili ishte në kërkim që prej vitit 2022 dhe ndaj të cilit ishte lëshuar një urdhër arresti për vuajtjen e një dënimi të mbetur prej 8 vitesh, 3 muajsh dhe 10 ditësh burg.

Andolfi akuzohet për pjesëmarrje në organizatë kriminale të tipit mafioz, zhvatje në bashkëpunim e rënduar nga metoda mafioze dhe korrupsion. Ai ndodhej në listën e 100 personave më të rrezikshëm të kërkuar nga Ministria e Brendshme italiane.

Operacioni për kapjen e tij u zhvillua në lagjen Barra të Napolit, ku i dyshuari u gjet i fshehur në një bunker, i krijuar brenda një apartamenti që po kontrollohej nga autoritetet. Sipas hetuesve, Andolfi konsiderohet pjesë e klanit të kamorrës.

Arrestimi u krye në zbatim të një vendimi të nxjerrë nga Prokuroria e Përgjithshme pranë Gjykatës së Apelit të Napolit.

Karabinierët bënë të ditur se ky është arrestimi i 22-të i një të arratisuri të rrezikshëm i realizuar gjatë një viti.

Share This Article