Shifrat përmes planit të qeverisë: Sa do të rriten pensionet nga janari 2026?

131

Të dhënat e fundit të Eurostat tregojnë se kudo pensionistët po përballen me vështirësi. Shqipëria klasifikohej vendi me pensionet më të ulëta mes 36 vendeve të marra në analizë, ndërsa renditjen e kryesonte Zvicra.

Ajo që e bën situatën e Shqipërisë veçanërisht të vështirë është kostoja e jetesës.

Pavarësisht pensioneve të ulëta, çmimet e ushqimeve në Shqipëri janë pothuajse saktësisht në mesataren e BE-së.

Pensionistët shqiptarë paguajnë çmime të ngjashme me ata në vendet shumë më të pasura, ndërsa marrin pensione që disa herë më të ulëta se mesatarja e BE-së.

Ky kombinim ushtron një presion të madh mbi standardet e jetesës së qytetarëve të moshuar.

Ekspertët paralajmërojnë se sistemet e pensioneve të bazuara në solidaritetin ndërgjeneracional po përballen me një realitet të zymtë matematik.

Në vitet 1950, rreth shtatë punëtorë kontribuonin për të mbështetur një pensionist.

Sot, mesatarja e BE-së ka rënë në afërsisht tre punëtorë për pensionist, dhe deri në vitin 2050 pritet të bjerë më tej në vetëm dy.

Rritja për 2026

Qeveria premton çdo vit indeksim dhe rritje të pensioneve.

Kryeministri Edi Rama në konferencën e fundvitit me gazetarët foli mbi projektet për 2026-ën.

Sipas tij, ky vit parashikohet që të mbyllet me një rritje ekonomike 3.9%. Kreu i qeverisë u shpreh se në janar do të nisë edhe rritja e pensioneve.

“Duke filluar nga janari, pensionet do të rriten siç e kam thënë dhe më parë dhe siç është shpjeguar gjerë e gjatë dhe nga ministrat përkatës, përtej indeksimit, pra indeksimi nuk është rritje e pensionit në kuptimin për të cilin flasim, por është një mekanizëm që lidhet me çmimet, ndërkohë që rritja që ne do bëjmë, do të jetë domethënëse vit pas viti.

Dhe kështu pensioni urban me vite të plota pune, duke filluar nga janari do të rritet me 18 mijë lekë të vjetra në muaj, gjë që do të dyfishohet në janarin e 2027, trefishohet në janarin e 2028 dhe katërfishohet në janarin e 2029 dhe kështu me radhë dhe kjo vlen për të gjitha shifrat që do të jap;

Pensioni urban i pjesshëm do të rritet me 8 000 lekë në muaj, pensioni rural do të rritet me 1 000 lekë në muaj, pensioni familjar do të rritet me 700 lekë në muaj, pensioni i invaliditetit do të rritet me 600 lekë në muaj dhe kështu me radhë” – theksoi kryeministri Edi Rama.

Sfida e së ardhmes

Disa vende tashmë po e ndiejnë peshën e plotë të këtij çekuilibri.

Italia dhe Greqia dy vendet ku jetojne dhe punojnë qindra mijëra shqiptarë, aktualisht shpenzojnë më shumë se 16 përqind të PBB-së së tyre vetëm për pensionet, duke lënë hapësirë ​​të kufizuar për investime në arsim, inovacion ose rritje afatgjatë.

Për Shqipërinë, sfida është e qartë. Pa reforma kuptimplote dhe një strategji më të gjerë për të adresuar si mjaftueshmërinë e pensioneve ashtu edhe kostot e jetesës, hendeku midis pritjeve për daljen në pension dhe realitetit ka të ngjarë të zgjerohet më tej.

Share This Article