Vrasja në Shkodër, 1 mijë euro për eksplozivin, zbardhen rolet e të arrestuarve

515

Kanë dalë detaje të reja nga hetimet për vrasjen me tritol të 67-vjeçarit Hysni Ymeri, ngjarje e ndodhur në fund të dhjetorit në Shkodër.

Sipas burimeve hetimore, njëri prej të arrestuarve, Gerti Bushati, dyshohet se është paguar 1 mijë euro për të vendosur lëndën plasëse në paketën elektrike të pallatit ku banonte viktima, më 27 dhjetor, dy ditë përpara shpërthimit të telekomanduar.

Shuma e parave është gjetur dhe sekuestruar në banesën e tij. Nuk dihet nëse i ishin premtuar pagesa të tjera.

Burime nga grupi hetimor bëjnë me dije se Bushati u tradhtua nga kamerat e sigurisë, të cilat e kanë fiksuar teksa lëvizte në zonë, si edhe në momentin kur ndërronte rrobat pas vendosjes së tritolit.

27-vjeçari dyshohet se kishte veshur kominoshe mbi rrobat e tjera dhe, pasi u largua, i hoqi dhe i hodhi pranë lumit. Pamjet janë regjistruar nga kamerat e një biznesi aty pranë, ndërsa veshjet janë sekuestruar.

Nga hetimet rezulton se ditën e ngjarjes, në lagjen Manush Alimani, ndodheshin edhe dy të arrestuarit Ergys Ibrahimi dhe Edison Hasaj.

Hetuesit kanë dyshime të forta se shpërthimi i telekomanduar është aktivizuar nga Ibrahimi, në momentin kur Hysni Ymeri po ngjitej drejt banesës.

Fillimisht ngjarja u dyshua si aksidentale, për shkak të një defekti në rrjetin elektrik, por kjo pistë u hodh poshtë më pas nga OSHEE.

Share This Article