Shqipëria është zhytur nën reshje të dendura shiu dhe një valë përmbytjesh që ka prekur pothuajse çdo qark të vendit. Shtëpi nën ujë, toka të dëmtuara, qindra njerëz të evakuuar dhe rrugë të pakalueshme janë realiteti i përditshëm i mijëra qytetarëve. Ndërsa situata në terren është e zymtë dhe dramatike, rrjetet sociale kanë shpërthyer me një fenomen tjetër po aq të fortë sa reshjet: politikanët me çizme, xhupa dhe foto për rrjetet sociale.
Mes këshillave të tyre “qëndroni në shtëpi” vlen të kujtohet se është mesjavë, njerëzit punojnë, fëmijët shkojnë në shkollë, dhe jeta nuk ndalon. Ndërkohë, disa prej përfaqësuesve të qeverisë kanë zgjedhur versionin klasik të emergjencave: çizmet e larta, terreni dhe pozat heroike.
Ministri i Drejtësisë Besfort Lamallari vizitoi burgun e Durrësit kati i parë i të cilit u përmbyt ndërsa pamjet e “ndihmave” të ministrit për të burgosurit nuk munguan. Po ashtu, ministri i Mbrojtjes Pirro Vengu dhe kryebashkiakja Emiriana Sako shfaqën praninë e tyre pranë të prekurve, duke siguruar edhe foto të radhës për rrjetet sociale.
Në Shkodër, prefektja Holta Duda u shfaq dje në terren në Obot, zonë ku përmbytjet janë bërë pjesë e jetës sezonale.
Por përballë këtyre daljesh simbolike, qytetarët pyesin me të drejtë: “Ç’vlerë kanë fotot, kur dëmshpërblimet e përmbytjeve të mëparshme nuk kanë ardhur kurrë?” Ndërkohë kryeministri Edi Rama filloi ditën me një status ironik ndaj kritikëve, duke i kujtuar qytetarëve se as Italia, as Greqia, as Mali i Zi nuk fajësojnë qeveritë e tyre për reshjet. Postim që risjell në mend episodet e verës, kur tymi i zjarreve mbushi vendin dhe flota shqiptare e emergjencave varej nga ndihma e fqinjëve.
Por partia demokratike nuk ka mbetur pas.
Pas show-t të deputetit Josa Hysaj me çizme dhe uniformë kamuflazhi, stafeta e pozimeve në baltë kaloi tek Klevis Balliu. Ndërkohë, ndërsa banorët përballen me dëmet dhe përmbytjet në çdo cep të vendit, situata duket se nuk do të qetësohet menjëherë. Parashikimet meteorologjike tregojnë se reshjet do të vijojnë edhe gjatë ditës së sotme, duke rritur rrezikun në disa nga zonat tashmë të goditura.

