SHBA janë të vendosura në luftën kundër krimit ndërkombëtar, përfshirë edhe në atë në Shqipëri.
Ky mesazh u përcoll gjatë një takimi që e Ngarkuara me Punë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri, Nancy VanHorn, pati me kreun e ri të SPAK, Klodjan Braho dhe kreun e Byrosë Kombëtare të Hetimit, Joni Keta.
Në deklaratën e ambasadës amerikane, u rikujtua edhe njëherë qëndrimi i Sekretarit amerikan të shtetit, Marco Rubio lidhur me luftën kundër karteleve të drogës.
Gazetari Sokol Bregu tha në studion e lajmeve të MCN Tv se kjo deklaratë mund të jetë bërë për arsyen se mund të jetë duke u hetuar një grup i fuqishëm i narkotrafikut jashtë Shqipërisë, por i përbërë nga shqiptarë.
Duhet ta lexojmë këtë deklaratë me vëmendje. Nuk kishte pse ta përsëriste deklaratën e Rubio-s, ajo e jep si sinjal që unë sot kam ardhur pikërisht për këtë gjë. Herën e fundit që kishin takim, ishin për interesat ekonomike të cenuara të investitorëve amerikanë.
Mendoj se duhet të jetë duke u hetuar një grup i fuqishëm i narkotrafikut që është jashtë Shqipërisë, por i përbërë nga shqiptarë dhe Shqipëria ka pjesën e saj.

