Nga Erion Braçe-
Sot, në orën 3:00 të mëngjesit, KUVENDI – maxhoranca ku unë bëj pjesë – MIRATOI ndryshimet në KODIN PENAL.
Koha YouTube Channel
Një pjesë erdhën si detyrime nga procesi i integrimit në BE, një pjesë si problematika kombëtare: zaptimi i hapësirës publike e private, ndërtimet e paligjshme, zjarrvënia e qëllimshme.
Mes tyre edhe KRIMINALIZIMI I PARKIMIT DYSH, kur pengon lëvizjen e mjeteve të shërbimeve jetike!
UNË VOTOVA NDRYSHIMET NË KODIN PENAL, POR JO NENIN QË KRIMINALIZON PARKIMIN DYSH!
Ai nen është qesharak dhe produkt i njerëzve që përtojnë të mendojnë.
Ju kam treguar sot raste të parkimit të paligjshëm, shumë më të rënda se parkimi dysh, që bllokojnë lëvizjen e mjeteve të shërbimeve jetike, deri në korsi të dedikuara për lëvizjen e tyre, por që NUK kriminalizohen.
Për to NUK SHKOHET NË BURG, thjesht ndëshkohen sipas KODIT RRUGOR, jo sipas KODIT PENAL.
Është E PADREJTË kështu. Është MARRËZI!
Edhe pse ua thashë dje në sy, përgjigjja ishte:
“E DI QEVERIA!”
Një proces i tërë ku TË PËRTOSH TË MENDOSH kthehet në mënyrë qeverisjeje!
Shikoni, unë e dua këtë qytet – kam lindur këtu, kam jetuar çdo ditë këtu, po punoj këtu;
i dua njerëzit e këtij qyteti, ashtu siç janë;
doemos, pëlqej rregullin për ta e në të;
nervat më bëhen tel nga mungesa e rregullit – jo vetëm në trafik apo parkim – sidomos nga të pushtetshmit dhe të fortët e këtij qyteti!
Por nuk do të votoja kurrë për PADREJTËSI, PABARAZI dhe, mbi të gjitha, për t’i lëshuar njerëzit e këtij qyteti në duar të:
një polici që abuzon me detyrën – ka të tillë,
një OPGJ-je që abuzon me detyrën – ka të tillë,
një prokurorie që abuzon me detyrën – ka ende të tillë.
Neni që u votua sot, pa gdhirë, i bën njerëzit e këtij qyteti klientë të tyre –
edhe për rastin e parashikuar aty, edhe për çdo rast që unë ju solla sot nga qendra e Tiranës!
DO E PËSOJNË TË DOBËTIT, ata që vuajnë problemin e parkimit në këtë qytet, jo të tjerët – ata që pinë kafen bashkë me supermakinën.
UNË MENDOJ QË DUHET TË NISË NGA MUNDËSITË E PARKIMIT, të kufizuara pafund nga komercializimi, nga shitja e çdo rruge për para shumë!
Thjesht duhet vënë mendja në punë.
TË PËRTOSH TË MENDOSH NUK SJELL ZGJIDHJE!