Kryeministri Edi Rama në një takim me fermerët në Divjakë për Skemën Kombëtare 2026 tha se financimet dhe paratë janë, por mungojnë projektet.
Rama deklaroi se edhe fondet e Bashkimit Evropian sa vijnë dhe do të shtohen, por duhet të jenë sipërmarrësit ata që duhet të jenë të aftë për të thithur këto para.
“Sot në vendin tonë çështja e financimit të projekteve që secili ka dhe të punëve që secili do të bëjë nuk është problem në aspektin financiar, sepse paratë janë. Ajo që është problem është mungesa e informacionet dhe mungesa e përgatitjes për ti thithur ato para. E njëjta gjë vlen edhe për atë që lidhet me BE. Ne do kemi gjithmonë e më shumë fonde nga BE, por fondet nga BE lidhet me sa të aftë jemi ne që ti thithim. Sa të aftë janë sektorët që ti thithin, sa i aftë është një sipërmarrës. Për këtë duhen disa gjëra jo shumë të ngatërruara, por disa gjëra që nuk mund të shmangen, që lidhen me një dosje që duhet të ketë brenda një projekt dhe argumentet që ky projekt vlen dhe që duhet financuar”, tha kryeministri.
Kreu i qeverisë theksoi se kryetarët e bashkive duhet të jenë shumë më aktiv në bashkëpunim me fermerët për të adresuar këto financime.
Sipas kryeministrit fermerët duhet të bashkohen për të prodhuar më shumë, në mënyrë që të dalin në treg.
Ai theksoi se produktet e freskëta shqiptare nuk duhet të çohen në Evropë, të përpunohen këtu tregun vendas, por edhe atë të huaj.
“Nuk duhet të ketë asnjë problem në rast se duhet një komponent agro përpunimi në një zonë bujqësor për financimin. Pse? Sepse bashkitë dhe ju mund të krijoni struktura të përbashkëta, kompani të përbashkëta për të marrë këto financime. Janë aty financimet, presin. Është shumë e thjeshtë të flasësh nga vendi që duhet të na mbroni. Ca do të thotë kjo? Unë besoj që shteti ka detyrë ti qëndrojë pranë fshatit dhe këtij sektori dhe fermerëve dhe bujqve më shumë sesa të tjerëve sepse është një sektor që ka atë brishtësinë e vet. Është një sektor që duhet të mbështetet.
Nga ana tjetër për tu rritur dhe për tu bërë më të mëdhenj ju duhet të mendoni si të mëdhenj. Sot në këtë territor ka shembuj suksesi. Ka ndërmarrje bujqësorë të suksesshme. Nuk funksionon qëndrimi vetëm, po të jesh vetëm dhe të luftosh me veten mund të shkosh deri në pikën që të mbijetosh, por jo të krijosh fitim dhe të rritesh. Këtu flasim për bashkimin në interes, që do të thotë prodhimin secili e bën vet, por ka një koordinim me të tjerët se cfarë do prodhojmë. Kur të shesim të jemi bashkë dhe të kemi volum të madh. Atë volumin e madh ta përpunojmë, mos cojmë këto produkte të freskëta ti cojmë në Evropë, por ti prodhojmë këtu për tregun vendas edhe për tregun e huaj. Duhet financim, dhe financimin e kemi”, deklaroi kryeministri Rama.