Ankimimi i qeverisë për pezullimin e Ballukut, Gjykata Kushtetuese mblidhet për të marrë një vendim për zv kryeministren e pandehur! SPAK kërkon ta arrestojë

948

Gjykata Kushtetuese është mbledhur sot, 3 shkurt, për ankimimin e qeverisë ndaj vendimit të Gjykatës së Posaçme, e cila pezulloi Belinda Ballukun nga detyra e zëvendës kryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, e pandehur për shkelje të barazisë në tenderin e tunelit të Llogarasë, si edhe nën hetim për një sërë procedurash të tjera tenderuese.

Gazetarja Klodiana Lala raporton se pritet të shihet nëse Gjykata do të dalë me një vendim për Ballukun, pas seancës publike të mbajtur më 22 janar, apo do të kërkojë sërish kohë sikurse një javë më parë.

Ajo tha se burime bëjnë me dije se gjyqtarët do të mblidhen sërish në dhomë këshillimi për të vendosur, por nuk dihet nëse do të dalin sot me një vendimmarrje.

“Sot GJK është mbledhur dy herë deri më tani, 10:00 dhe 11:00, për çështje të tjera dhe e treta në radhë është kërkesa e kryeministrit që kërkon shpalljen si antikushtetuese të pezullimit të Belinda Ballukut. Burime për News 24 bëjnë me dije se do të mblidhen sërish gjyqtarët në dhomë këshillimi për të vendosur, nuk dihet nëse do të dalin me një vendim apo do të kërkojnë sërish kohë.”, u shpreh gazetarja.

GJKKO, me kërkesë të SPAK, e pezulloi nga detyra zv/kryeministren Balluku në nëntor, pasi u mor e pandehur për abuzime me tenderin e tunelit të Llogarasë, por kryeministri Edi Rama e cilësoi këtë si shkelje të kompetencave të tij. Me këtë argumentim, ai e çoi çështjen në Gjykatën Kushtetuese, dhe seanca publike me të gjitha palët u mbajt më 22 janar.

Nga ana tjetër, SPAK i është drejtuar edhe me një kërkesë Kuvendit, ku kërkon heqjen e imunitetit të Ballukut si deputete dhe hapjen e rrugës për të dhënë një masë më të ashpër sigurie si ajo e arrestit në shtëpi apo në burg.

Socialistët kanë shtyrë mbledhjen e Këshillit të Mandateve dhe Imunitetit, duke pretenduar se duhet pritur së pari vendimi i Kushtetueses. Po opozita argumenton se kërkesa për arrestim nuk ka të bëjë me pezullimin dhe për rrjedhojë pretendimi që përdor maxhoranca nuk qëndron.

Share This Article