Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha sulmoi kryeministrin Edi Rama, duke thënë se ai meriton që të “kalbet” burgjeve për aferat korruptive, që sipas tij, ka kryer.
Në konferencën e sotme për mediat nga selia blu, kryedemokrati komentoi edhe shtyrjen e vendimit nga Gjykata Kushtetuese për pezullimin e Belinda Ballukut nga detyra e zëvendës kryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë pas marrjes si e pandehur për aferën e tenderit të tunelit të Llogarasë.
Shtyrjen e vendimmarrjes, Berisha e cilësoi si një show të shëmtuar nga Kushtetuesja në historinë e drejtësisë shqiptare e botërore, duke shtuar se gjykata tregoi se nuk ka dinjitet e moral.
Kryedemokrati shprehu bindjen se 10 shkurti, kur do të mbajë protestën e radhës kombëtare, do të jetë dita e triumfit të qytetarëve ndaj qeverisë, që e cilësoi si organizatë kriminale.
“Edi Rama nuk do të pranojë kurrë të heqë imunitetin e Lubi Ballukut dhe kjo vetëm e vetëm se ai dorëzon në atë moment imunitetin e tij. Dhe ai është i gatshëm me çdo çmim ta mbrojë se i takon të dergjet dhe kalbet burgjeve ndoshta edhe për 30-40 vite për aferat e tij korruptive, edhe më shumë.
Qytetarë është fjala juaj. Është guximi juaj.
Është zemërimi juaj.
Asnjë shpresë nuk ka përveç guximit, revoltës, zemërimit tuaj ndaj kësaj organizate kriminale që nuk njeh ligj as moral në vjedhjen, plaçkitjen tuaj.Unë kam besim se data 10 shkurt do të jetë triumfi i qytetarëve shqiptarë ndaj kësaj organizate kriminale. Pra, fjala është e qytetarëve.
Drejtësia, e patë se ku ka rënë. Patë shoun më të turpshëm në historinë e drejtësisë shqiptare dhe botërore të Gjykatës Kushtetuese, se si njerëzit të vendosur nga Kushtetuta në një nga pozicionet më të larta të shtetit, provojnë se janë të degraduar, të degjeneruar në shkallë ekstreme në raport me ligjin dhe detyrën e tyre.
Se nuk kanë nder as dinjitet e as moral zyrtari.
Se janë një turp për veten, për familjen e tyre, për rrethin e tyre, janë një turp për një komb të tërë.“, u shpreh Berisha.

