Kjo ndodh vetëm në Shqipëri/ Vëllai deputet i trafikantit, skenar e presion për të kontrolluar Prokurorinë Speciale

857

I maskuar si “nismë qytetare”, komisioni parlamentar drejtohet nga vëllai i një trafikanti dhe synon kontrollin politik të prokurorisë që heton korrupsionin dhe krimin e organizuar…

Për të shmangur një ndërhyrje të drejtpërdrejtë ligjore ndaj SPAK-ut, kryeministri Edi Rama ka ngritur një strukturë parlamentare presioni, Komisionin e Përhershëm për Nismat Qytetare dhe Mbikëqyrjen Institucionale, duke vendosur në krye të tij Fatmir Xhafajn. I paraqitur si mekanizëm “bashkëpunimi”, komisioni synon të marrë informacion mbi dosjet hetimore të SPAK-ut, në shkelje të pavarësisë kushtetuese. Rasti bëhet edhe më problematik për shkak të konfliktit të hapur të interesit, pasi Xhafaj është vëllai i Agron Xhafajt, trafikant i dënuar në Itali dhe subjekt i ligjit Antimafia.

Ndërkohë që SPAK ka refuzuar publikisht këtë komision, presioni politik vijon, duke ngritur shqetësime serioze për tentativat e kontrollit të drejtësisë nga mazhoranca.

Që të mos bënte ligj për të marrë nën kontroll të hapur aktivitetin e SPAK-ut, kryeministri Edi Rama sajoj një strukturë presioni dhe sulmi, të emërtuar Komision i Përhershëm Parlamentar për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale.

Në krye të këtij komisioni emëroi deputetin Fatmir Xhafaj, personin më “esnaf” dhe më të devotshëm për të kontrolluar, manipuluar, kërcënuar, përdorur dhe shkatërruar drejtësinë, provë që e dha më herët me reformën dhe me përbërjen e stafeve drejtuese të institucioneve të drejtësisë dhe të vettingut.

Me mandatin e kryetarit të këtij komisioni parlamentar, të maskuar si “nismë qytetare”, por që realisht është strukturë dhe skemë politike anti-drejtësi e Edi Ramës, Fatmir Xhafaj po dërgon deputetë nëpër gjykata, prokurori dhe në Gjykatën Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

Prokuroria e Posaçme është i vetmi institucion i drejtësisë së re që, me qëndrim publik, nuk e pranoi komisionin parlamentar “Xhafaj” për të monitoruar aktivitetin e saj, duke e konsideruar këtë si cenim të pavarësisë kushtetuese.

Objekti i punës së këtij komisioni parlamentar për të kontrolluar aktivitetin dhe punët hetimore të SPAK-ut, me qëllim marrjen e informacionit mbi dosjet hetimore, përbën shkelje të Kushtetutës.

Por edhe sikur ky komision të ishte në përputhje me Kushtetutën, është absurditet që kryeministri Edi Rama dhe mazhoranca parlamentare kanë emëruar si drejtues deputetin Fatmir Xhafaj, vëllain e trafikantit Agron Xhafaj, të dënuar me burg në Itali.

Pra, vëllai i një trafikanti, pjesë e një grupi të strukturuar kriminal ndërkombëtar, drejton komisionin që synon të kontrollojë punën e prokurorisë që heton korrupsionin dhe krimin e organizuar.

Madje, Fatmir Xhafaj po këmbëngul edhe përmes marifeteve dhe presioneve të ushtruara në emër të parlamentit që të kontrollojë patjetër punët e SPAK-ut, sepse, së pari, ka urdhër nga shefi i tij Edi Rama, dhe së dyti, synon të marrë informacione personale mbi dosjet hetimore.

Me detyrën si kryetar komisioni, Fatmir Xhafaj ndodhet në konflikt të plotë interesi përballë SPAK-ut, pasi, për shkak të dënimit të vëllait trafikant, është edhe vetë, si dhe familjarisht, subjekt i ligjit Antimafia, me objekt hetimi pasuror dhe aspekte të tjera.

Çudia në qëndrimin e SPAK-ut është fakti se, megjithëse e ka dosjen penale të kryetrafikantit Agron Xhafaj, nuk po i sekuestron pasuritë e pajustifikuara dhe nuk po nis hetim ndaj pasurive të familjarëve të tij, përfshirë Fatmir Xhafajn, bashkëshorten, vajzat dhe dhëndrin./Pamfleti

Share This Article