Miratohet Amnistia Penale, qindra të dënuar përfitojnë lirinë dhe ulje dënimi

279

Qeveria ka miratuar këtë të mërkurë Amnistinë Penale, një nismë që synon lirimin ose uljen e dënimit për një numër të konsiderueshëm të dënuarish. Lajmi u konfirmua dje nga Ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari, përmes një deklarate për mediat pas mbledhjes së Këshillit të Ministrave. Sipas ministrit, nga kjo amnisti përfitojnë 447 persona, të cilët do të lirohen menjëherë nga burgu, si dhe 853 të tjerë, që do të përfitojnë ulje të dënimit.

Mes përfituesve ka gra, të mitur dhe shtetas të huaj, ndërsa numri i përgjithshëm i personave që përfitojnë nga pushimi i ndjekjes penale është dukshëm më i lartë.

“Në mbledhjen e sotme të Qeverisë miratuam Amnistinë Penale, nismën që prezantuam rreth një muaj më parë dhe nga sot ky vendim depozitohet në Kuvend. Nga të dhënat më të fundit të rakorduara me Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve, Shërbimin e Provës si dhe Prokurorinë e Përgjithshme, rezulton se plot 447 persona përfitojnë lirim të menjëhershëm dhe 853 të tjerë ulje dënimi, ndërkohë nga Shërbimi i Provës amnistohen 5077 të dënuar me masa alternative. Për më tepër, duke filluar nga viti 2024 pushohet ndjekja penale për plot 14 mijë procedime për vepra të lehta.

Përveçse një akt i qartë human dhe një mundësi e dytë për rehabilitim dhe ri-integrim, ky është një hap konkret që ul presionin e popullimit të burgjeve dhe për të fokusuar drejtësinë aty ku rreziku shoqëror është real. Nuk bëhet fjalë për tolerancë ndaj krimit, por për një qasje të matur që synon riintegimin dhe përdorimin më efikas të drejtësisë penale teksa ne po punojmë për të ulur përdorimin e panevojshëm të paraburgimit, në përputhje me shqetësimet e drejta të ngritura nga Këshilli i Evropës si dhe standardet evropiane”, shprehet ministri Lamallari.

Ministri i Drejtësisë theksoi se pret që Kuvendi ta shqyrtojë projektligjin pa vonesa, në mënyrë që amnistia të nisë sa më shpejt efektet e saj. “Objektivi ynë ambicioz është të kemi një sistem që di të ndëshkojë fort kur duhet, por edhe të japë një shans për t’u rikthyer në shoqëri.

Drejtësia nuk është vetëm ndëshkim, por edhe një mundësi e dytë e drejtuar nga humanizmi dhe rehabilitimi. Falënderoj të gjitha institucionet që kontribuuan në këtë proces dhe pres që Parlamenti ta shqyrtojë projektligjin sa më parë, në mënyrë që efektet pozitive të amnistisë të ndihen nga mijëra familje shqiptare”, deklaron ministri Lamallari. Nga kjo amnisti nuk përfitojnë personat nën hetim apo gjykim nga Prokuroria dhe Gjykata e Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.

Projektligji i amnistisë do të depozitohet në Kuvend, ku fillimisht do të shqyrtohet në komisionet parlamentare dhe më pas do t’i nënshtrohet votimit në seancë plenare.

Share This Article