Ernest Muçi vijon sezonin spektakolar me Trabzonsporin. Sot ka asistuar golin e radhës, për të zhbllokuar ndeshjen në transfertë me Samsunspor që vlen për javën e 21-të të Superligës turke.
Ishte minuta e 23-të e ndeshjes, kur Muçi mori topin në krahun e djathtë të sulmit. Krosimi i tij me këmbën e majtë gjeti Onuaçu, që goditi me kokë dhe dërgoi topin në rrjetë.
Në dy javët e kaluara të kampionatit, Muçi nuk kishte kontribuar me gol apo asist.
Sot e bëri duke u rikthyer sërish si protagonist, ndërsa më parë këtë javë shënoi dhe asistoi në Kupë.
Kartonin e Muçit, që është i huazuar, e zotëron Beshiktashi.
Megjithatë duket çështje kohe, që Trabzonspori të paguajë rreth 8 milionë euro për të përfituar shërbimet e tij përfundimisht.

