Ndryshimet në ligjin për pezullimet, nisma nuk “shpëton” vetëm Ramën, përfshin edhe Begajn, Shabanin…

743

Kryeministri Edi Rama ka njoftuar se do të depozitoj të hënën në Grupin Parlamentar të PS-së ndryshime ligjore që lidhen me kompetencat e gjykatave në raport me pushtetet e tjera.

Sipas raportimeve, ligji që po ndryshon, nuk do të shpëtojë nga pezullimi vetëm kryeministrin dhe anëtarët e tjerë të qeverisë, por të gjithë krerët e institucioneve që burojnë nga Kushtetuta. Këtu përfshihet, Presidenti i Republikës (aktualisht Bajram Begaj), Avokati i Popullit (Endrit Shabani), Kreu i KLSH-së (Arben Shehu) dhe Guvernatori i Bankës (Genc Sejko). Ndërhyrja do të bëhet në Kodin e Procedurës Penale, konkretisht në nënin 242, ku përcaktohet se ndaj kujt nuk mund të vendoset masa e sigurisë pezullim nga detyra.

Kodi i procedurës penale, neni 242:Si është: “Me vendimin që disponon pezullimin e ushtrimit të një detyre a shërbimi publik, gjykata i ndalon përkohësisht të pandehurit, plotësisht ose pjesërisht, veprimtarinë që lidhet me to.

Kjo masë nuk zbatohet ndaj personave të zgjedhur sipas ligjit elektoral”.
Si bëhet: “Me vendimin që disponon pezullimin e ushtrimit të një detyre a shërbimi publik, gjykata i ndalon përkohësisht të pandehurit, plotësisht ose pjesërisht, veprimtarinë që lidhet me to. Kjo masë nuk zbatohet ndaj personave të zgjedhur sipas ligjit elektoral përfshi, Presidentin e Republikës, Kryeministrin, Anëtarët e Kabinetit Qeverisës, Avokatin e Popullit, Kreun e KLSH-së dhe Guvernatorin e Bankës së Shqipërisë”.

Share This Article