Pas 11 ditësh i bllokuar, aksi Librazhd–Prrenjas do të rihapet për qarkullimin e mjeteve këtë të martë në orën 12:00, përmes një rruge provizore.
Sipas njoftimit ARRSH-së, rruga provizore është ndërtuar në lidhje me Korridori VIII dhe segmentin ekzistues të rrugës, i cili është dëmtuar rëndë. Në këtë aks do të lejohet qarkullimi i të gjitha mjeteve.
Kjo zgjidhje do të jetë funksionale deri në përfundimin e plotë të rrugës alternative, e cila do të ndërtohet në shtratin e Lumi Shkumbin dhe do të integrohet me trupin e hekurudhës.
Njoftimi i Plotë i ARRSH-së:
Sot, datë 03.03.2026, ora 12:00, rikthehet qarkullimi për të gjitha mjetet në aksin Librazhd–Prrenjas, i cili ishte i bllokuar si pasojë e rrëshqitjes në zonën “Arrat e Gurrës”.
Qarkullimi do të kryhet përmes një devijimi provizor, të ndërtuar ngjitur me pozicionin ekzistues të mëparshëm, deri në realizimin e plotë të rrugës alternative, tashmë të bërë publike, në shtratin e lumit Shkumbin dhe të integruar me trupin e hekurudhës.
Segmenti do të funksionojë me sinjalistikë kantieri dhe, përkohësisht, do të jetë i paasfaltuar deri në stabilizimin e shtresave, pas së cilës do të kryhet asfaltimi përfundimtar.
Duke kërkuar mirëkuptim nga të gjithë përdoruesit e rrugës si dhe banorëve të zonës, u bëjmë thirrje të respektojnë sinjalistikën dhe udhëzimet e Policisë Rrugore, për të garantuar një qarkullim të sigurt për të gjithë.

