Misteri rreth plagosjes së udhëheqësit të ri suprem Mojtaba Khamenei, reagon Irani: Ja si qëndron e vërteta

441

Irani ka hedhur poshtë lajmet që pretendonin se udhëheqësi i ri suprem i vendit, Mojtaba Khamenei, ishte plagosur gjatë sulmeve të fundit.

Sipas një raportimi të Associated Press, djali i presidentit iranian Masoud Pezeshkian, Youssef Pezeshkian, i mohoi kategorikisht këto pretendime.

Në një postim të publikuar mbrëmjen e kaluar në aplikacionin Telegram, ai shkroi:

“Dëgjova lajmin se zoti Mojtaba ishte plagosur. Pyeta miqtë që janë në kontakt me të. Ata më thanë se, falë Zotit, ai është mirë dhe nuk ka asnjë problem.”

Informacionet për një lëndim të mundshëm të udhëheqësit iranian u publikuan fillimisht nga gazeta amerikane The New York Times.

Sipas këtij publikimi, disa zyrtarë iranianë dhe izraelitë kishin deklaruar se në ditën e parë të sulmit të koordinuar nga Izraeli dhe Shtetet e Bashkuara, Mojtaba Khamenei ishte plagosur.

Tre zyrtarë iranianë, të cituar nga gazeta, thanë se ishin informuar nga drejtues të lartë qeveritarë se Khamenei kishte pësuar disa lëndime, përfshirë në këmbë.

Sipas tyre, ai ishte i vetëdijshëm dhe ishte strehuar në një vend shumë të sigurt, ku komunikimet janë të kufizuara për arsye sigurie.

Megjithatë, autoritetet iraniane këmbëngulin se këto pretendime nuk janë të vërteta dhe se udhëheqësi suprem është në gjendje të mirë shëndetësore.

Share This Article