Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës ka njoftuar pezullimin e përkohshëm të fluturimeve drejt Tel Aviv dhe Dubai, si pasojë e përshkallëzimit të situatës së sigurisë në Lindjen e Mesme.
Sipas njoftimit zyrtar, vendimi ka hyrë në fuqi menjëherë dhe do të mbetet në fuqi deri në një njoftim të dytë, për shkak të luftës në rajon dhe mbylljes së disa hapësirave ajrore që prekin drejtpërdrejt itineraret e këtyre fluturimeve.
Autoritetet aeroportuale theksuan se siguria e pasagjerëve dhe e ekuipazheve mbetet prioritet absolut, ndaj pezullimi është një masë parandaluese në përputhje me zhvillimet e fundit.
Pasagjerëve u është rekomanduar të kontaktojnë kompanitë ajrore përkatëse për të marrë informacion të përditësuar mbi rezervimet e tyre, rimbursimet apo alternativat e mundshme të udhëtimit.
TIA bëri me dije se çdo ndryshim i situatës do të komunikohet në kohë reale përmes kanaleve zyrtare të informacionit.
Fluturimet direkte mes Tiranës dhe Tel Avivit nisën vitin e kaluar, si rezultat i rritjes së ndjeshme të kërkesës për udhëtime mes dy vendeve.
Kohët e fundit, Shqipëria ka njohur një shtim të konsiderueshëm të turistëve izraelitë, të cilët kanë zgjedhur vendin për pushime verore dhe ture kulturore. Megjithatë, vala e re e konfliktit mes Izraelit dhe Iranit pritet të ndikojë përkohësisht këtë fluks, duke krijuar pasiguri në sektorin e turizmit dhe transportit ajror.

