Atentati ku u plagos 30-vjeçari në Lezhë, policia ushtron kontroll në banesa! Disa persona të shoqëruar, zbardhen lëvizjet e autorëve

936

Policia e Lezhës ka ushtruar kontrolle në banesa gjatë mbrëmjes së të dielës, 1 shkurt, pas atentatit ku u plagos 30-vjeçari Sokol Daci në Rrilë të Lezhës.

Gazetari Elidon Ndreka raporton se disa persona janë shoqëruar gjithashtu në polici. Sipas gazetarit, personi që ka shkëmbyer zjarr me autorët nga brenda berberhanes, ku ndodhi ngjarja, ka qenë një punonjës policie. Por në dëshminë e tij, ai ka thënë se nuk ka konflikte me njeri.

“Policia ka bërë disa kontrolle në banesa, disa persona janë shoqëruar në lidhje me ngjarjen.

Një nga personat që ndodhej brenda berberhanes, sipas dyshimeve paraprake, dyshohet të ketë qenë një punonjës i uniformave blu që menjëherë ka nxjerrë armën por me marrjen në pyetje, ka bërë me dije se nuk i ka njohur personat dhe se nuk ka konflikte. “, raportoi gazetari.

DYSHIMET DHE LËVIZJA E AUTORËVE

Burime nga grupi hetimor kanë bërë me dije se 30-vjeçari, i cili ndodhet jashtë rrezikut për jetën në spitalin e Traumës, nuk ka qenë shënjestra e atentatit, por një nga katër personat e tjerë që ndodheshin brenda biznesit të tij në momentin kur ndodhi ngjarja.

Dyshohet se kanë qenë tre persona të cilët kanë mbërritur në fshatin Rrilë të Lezhës me një mjet tip “Audi”, dhe pasi janë ulur nga makina, kanë qëlluar në drejtim të berberhanes, duke lënë të plagosur Sokol Dacin, i cili ka marrë tre plumba, një në shpatull, një në bark dhe një në këmbë.

Mësohet se i lënduar nga të shtënat me armë ka mbetur edhe një anëtar i familjes Nikulaj, por deri tani në ambientet e spitalit nuk është paraqitur asnjë person i plagosur. Kujtojmë që një anëtar i fisit Nikulaj, Ardian Nikulaj, u vra në prill të 2023 në hotelin e tij në Shëngjin, ndërsa si porositës i kësaj ngjarje dyshohet se është Edmond Haxhia për shkak të hasmërisë.

Share This Article