Sot shënon nisjen zyrtare të një prej formateve më të ndjekura televizive në Shqipëri. Në ekranin e Top Channel rikthehet “Big Brother VIP Albania”, i cili hap siparin e edicionit të tij të pestë, një sezon që pritet të sjellë emocione të forta, dinamika të reja dhe surpriza të shumta për publikun.
Mbrëmja inauguruese premton të jetë e gjatë dhe plot intensitet, ndërsa dritat e shtëpisë më të famshme dhe më të vëzhguar në vend do të ndizen për të mirëpritur banorët e rinj VIP. Reality show që prej vitesh ka mbajtur të mbërthyer para ekranit miliona shqiptarë, brenda dhe jashtë kufijve të vendit, rikthehet me energji të reja dhe pritshmëri të larta.
Edhe këtë sezon, drejtimi i spektaklit i është besuar Ledion Liços, i cili do të shoqërojë publikun në çdo etapë të lojës, bashkë me opinionistët që do të analizojnë zhvillimet, strategjitë dhe përplasjet mes konkurrentëve.
Në një deklaratë entuziaste, Ledion Liço e cilësoi Big Brother VIP si diçka më shumë sesa një program televiziv, duke theksuar se ky format është kthyer në një ngjarje që bashkon publikun dhe krijon diskutime të gjera shoqërore.
Ai u shpreh se edhe këtë sezon priten situata të papara më parë, surpriza të shumta dhe elemente që do ta bëjnë aventurën edhe më të veçantë. Moderatori nënvizoi gjithashtu se shtëpia e këtij edicioni është ndër më të bukurat dhe më të kuruarat që Big Brother ka pasur ndonjëherë, duke shprehur shpresën se ky sezon do të mbetet gjatë në kujtesën e publikut.
Gjatë mbrëmjes së sotme, nën vëmendjen e kamerave dhe kuriozitetin e publikut, banorët VIP do të hyjnë një nga një në shtëpi, duke nisur zyrtarisht lojën dhe izolimin e tyre nga bota e jashtme.
Pas javësh spekulimesh dhe aludimesh në rrjete sociale e media, është bërë publik edhe emri i konkurrentit të parë zyrtar të Big Brother VIP Albania 5. Bëhet fjalë për Angelo Harunin, moderator i emisionit “Top Talk Economy” në Top Channel.
Në një mesazh për ndjekësit e tij, Haruni u shpreh se po mbyll një kapitull të rëndësishëm profesional për të hapur një tjetër sfidues.
Ai konfirmoi se nga sot nis izolimi i plotë, në përputhje me rregullat e formatit, pa telefon dhe pa asnjë kontakt me jashtë, ashtu si edhe konkurrentët e tjerë. Sipas tij, në Big Brother nuk hyn një rol apo një strategji e ndërtuar, por vetë njeriu, me gjithë anët e tij të forta dhe të dobëta. Haruni theksoi se publiku do të shohë një version ndryshe të tijin, më të vërtetë dhe pa filtra, duke shpresuar në mbështetjen e shikuesve deri në fund të rrugëtimit.
Data 20 dhjetor shënon kështu fillimin e një sezoni të ri të Big Brother VIP, nga ku shtëpia më e famshme në Shqipëri do të jetë nën vëzhgim të pandërprerë, 24 orë në ditë.
Publiku do të ketë mundësi të ndjekë çdo moment live përmes dy kanaleve të dedikuara Big Brother VIP 1 dhe Big Brother VIP 2 në platformën DigitAlb.
Gjithçka është gati për startin e madh. Një natë plot surpriza, emocione dhe të papritura pritet sonte, duke nisur nga ora 21:00, me “Big Brother VIP Albania 5”, ekskluzivisht në ekranin e Top Channel.

