Pas SHBA, edhe Britania e Madhe po tërheq personelin e saj ushtarak nga një bazë amerikane në Katar, raporton Sky News.
Kjo lëvizje vjen mes rritjes së tensioneve për shkak të protestave që kanë shpërthyer në Iran dhe kërcënimeve për hakmarrje nga Teherani nëse SHBA ndërhyn ushtarakisht.
Edhe SHBA-të kanë filluar gjithashtu tërheqjen e një pjese të stafit nga Baza Ajrore Al Udeid e drejtuar nga SHBA-të në Katar, baza më e madhe amerikane në rajon.
Presidenti amerikan ka paralajmëruar më herët se SHBA do të ndërhynte nëse Irani vret protestuesit. Ai iu drejtua protestuesve se “ndihma është duke ardhur” dhe premtoi veprime shumë të forta nëse regjimi i Teheranit vazhdon me ekzekutimet e planifikuara.
Irani ka thënë vazhdimisht se do të hakmerret kundër vendeve ushtarake amerikane në rajon nëse Amerika ndërhyn dhe sulmon. Dy zyrtarë evropianë thanë për Reuters se ndërhyrja ushtarake amerikane dukej e mundshme, ndërsa njëri prej tyre vlerësoi se mund të ndodhte brenda 24 orëve.
Përshkallëzimi vjen ndërsa udhëheqja iraniane përpiqet të shuajë trazirat e brendshme më serioze me të cilat është përballur ndonjëherë Republika Islamike.
Deri më tani raportohet se kanë vdekur 2 403 protestues dhe 147 të lidhur me regjimin.
Sipas HRANA-s, janë kryer 18,137 arrestime. Organizata kurde Hengaw raportoi se një protestues 26-vjeçar, Erfan Soltani, do të ekzekutohej të mërkurën, por nuk u konfirmua nëse dënimi ishte zbatuar.