Pas debatit të krijuar së fundmi, Lufra ka reaguar me një deklaratë zyrtare, duke sqaruar qartë qëndrimin e saj lidhur me pranimin e qumështit nga fermerët vendas. Kompania thekson se shëndeti i konsumatorëve dhe siguria ushqimore janë mbi çdo interes tjetër.
Sipas Lufrës, kompania nuk po refuzon fermerët, por po zbaton detyrimin ligjor për të garantuar që çdo produkt që del në treg të jetë i sigurt për konsum. Çdo vendim për mospranimin e përkohshëm të qumështit bazohet vetëm në analiza laboratorike dhe standarde të qarta ligjore dhe europiane.
“Bashkëpunimi me fermerët vendas ka qenë dhe mbetet një vlerë thelbësore për ne”, thuhet në deklaratë, duke theksuar se puna e përditshme me fermerët synon përmirësimin e cilësisë dhe sigurisë së qumështit.
Sapo kriteret e kërkuara plotësohen, qumështi pranohet menjëherë.
Lufra nënvizon se qëllimi i saj nuk është penalizimi i fermerëve, por ndërtimi i një zinxhiri furnizimi të sigurt dhe të qëndrueshëm, ku fiton konsumatori dhe ruhet besimi te produktet vendase. Kompania siguron se çdo veprim ndërmerret në përputhje të plotë me ligjin dhe në interes të shëndetit publik.
Ky sqarim vjen për të qetësuar opinionin publik dhe për të garantuar se produktet e qumështit që arrijnë në tryezat e qytetarëve janë të sigurta dhe të kontrolluara.