Banorët e Rrjollit të Velipojës kanë vijuar ditën e gjashtë të protestës kundër ndërtimit të resortit të ndërtuesit dhe botuesit Bashkim Ulaj.
Ata kanë kërkuar që punimet të ndalen dhe janë futur në kantier. Situata mes banorëve e policisë është e tensionuar dhe janë përplasur fizikisht.
Policia ka formuar një kordon që banorët të mos afrohen pranë fadromës që po kryen punimet. Rreth 50 prej tyre ndodhen pranë mjetit të rëndë.
Prej ditësh, banorët bëjnë qëndresë duke thënë se një person me emrin Fatmir Shpellzaj përmes falsifikimit ka grabitur pronat e tyre dhe më pas ia ka shitur biznesmenit Ulaj për ndërtimin e resortit me 5 yje.
Banorët kërkojnë ekspertim të dokumenteve dhe veprimeve në Kadastër, pasi sipas banorëve të dyja palët kanë certifikatë pronësie.
Ata akuzojnë se Ulaj përmes Fatmir Shpellzajt, ka marrë certifikatën e pronësisë brenda 1 viti për 1500 dynym tokë ku do të ndërtohet resorti me 5 yje.
Botuesi pranë familjes Berisha dhe vëllezërit e tij kanë marrë statusin e veçantë të investitorit strategjik për fshatin turistin që do të ndërtohet në kufi mes Ranës së Hedhun dhe zonës Baks-Rrjoll në Shkodër.

