Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka uruar qytetarët për Ditën e Verës nga Elbasani, kryeqendrën e kësaj feste.
Teksa theksoi se kjo festë sjell shpresë dhe frymëzim , kryedemokrati shtoi se në Ditën e Verës të vitit të ardhshëm shpreson që t’ia lënë të keqen dimrit, duke shtuar se kryeministri Edi Rama dhe ish vartësja e tij, Belinda Balluku nuk kanë të ardhme.
“Së pari, qytetarëve, banorëve të Elbasanit, sot si kryeqyteti i festës për mbarë kombin, u uroj gëzuar Ditën e Verës, festën më të lashtë jo vetëm të shqiptarëve ç’është e vërteta, por edhe të kombeve të tjera, një ditë që ngjall shpresë, frymëzon ripërtëritje, një ditë pra gëzimi. Dhe sot këtë festë shqiptarët e festojnë më të bindur se kurrë se festën tjetër të keqen ia lanë dimrit dhe Rama me Lubinë të ardhme nuk kanë më. Kjo është dita e fundit e verës që ata i gjen me karrige të thyer ashtu siç janë.
Nuk e meritojnë! Ndaj dhe le të urojmë që ditën e ardhshme të verës, qytetarët e Elbasanit dhe mbarë Shqipërisë ta festojnë siç ua do zemra, ta festojnë me dyer të hapura drejt të ardhmes dhe drejt Europës.”, tha Berisha.
Berisha tha se “dyshja Rama-Balluku” po pengojnë rrugën e integrimit, ndërsa shtoi se uron që “dita tjetër e verës të na gjejë sa më afër ëndrrës tonë evropiane.”
“Është e trishtë dhe e dhimbshme se në 34 vite kjo është dita e parë e verës në të cilën dyert e Europës u mbyllën për shqiptarët për shkak të veprimeve të pashembullta në historinë e vendeve që shkojnë drejt integrimit nga dyshja Rama-Balluku. Ndaj dhe le të urojmë dhe të punojmë që dita tjetër e verës të na gjejë sa më afër ëndrrës tonë evropiane.”, theksoi Berisha.

