Autoritetet ligjzbatuese në Elbasan kanë konfirmuar detaje tronditëse rreth konfliktit që parapriu dhe, sipas dyshimeve paraprake, u kthye në shtysën kryesore të vrasjes së biznesmenit Edmond (Mondi) Mëhalla.
Sipas burimeve të Policisë së Shtetit, në qendër të hetimit ndodhet Oklid El Ouejdi, 35 vjeç, me origjinë nga Elbasani por me emër të ngjashëm me atë arab, i njohur në qytet me nofkën “Kiço” dhe “Oliver”. Në komunitetin lokal, ai identifikohet gjithashtu si nipi i personazhit të njohur “Timit të Elbasanit”.
Nga të dhënat zyrtare, rezulton se El Ouejdi është larguar nga pika kufitare e Qafë-Thanës për në Maqedoninë e Veriut, duke mos u arritur të ndalohej apo verifikohej nga policia kriminale e Elbasanit. Që prej ditës së vrasjes së Mondi Mëhallës, ai konsiderohet person kyç në hetime, ndërsa qëndrimi i tij aktual nuk është i konfirmuar, megjithëse dyshohet se qëndron në Maqedoninë e Veriut, ku ka rreth të gjerë njohjesh, përfshirë edhe Sheval Muharremin, i njohur si “Bosi i Gërçecit”.
Dokumentet zyrtare tregojnë se prej janarit 2018, El Ouejdi ka të regjistruar në Elbasan biznesin e import–eksportit dhe tregtimit të automjeteve “SOLEIL”.
Pikërisht marrëdhëniet tregtare të lidhura përmes kësaj veprimtarie mendohet se kanë qenë shkaku i konfliktit të rëndë me Mondi Mëhallën.
Sipas burimeve të besueshme, para rreth 10 ditësh nga vrasja, në ambientet e karburantit “Xhaxhi Oil”, ka ndodhur një përplasje fizike midis të dyve. Mëhalla, i revoltuar për mosrealizimin e një marrëveshjeje tregtare me vlerë 700 mijë euro, ka ushtruar dhunë ndaj El Ouejdit, i cili ka qenë i shoqëruar nga një person tjetër.
Në pamundësi për të shlyer detyrimin, “Kiço” dyshohet se kishte ofruar si kompensim 4 apartamente në Tiranë, por me probleme pronësie, gjë që ka shtuar tensionin mes tyre.
Burimet theksojnë se pas konfliktit fizik, El Ouejdi dyshohet se ka marrë masa për të organizuar eliminimin e Mëhallës. Ai përmendet si personi që mund të ketë porositur dhe financuar vrasjen që ndodhi vetëm 10 ditë pas incidentit te “Xhaxhi Oil”.
Mondi Mëhalla, i njohur në Elbasan me nofkën Hyka dhe mik i ngushtë i Kei Piut, u ekzekutua me tre plumba, në një atentat të kryer me profesionalizëm, ndërsa autorët dogjën më pas makinën tip “Audi”.
Deri më tani janë arrestuar tre persona:
* Nevzat (Nevi) Spaho – nga Përrenjasi, i dyshuar si shoferi që ndihmoi autorin të largohej nga zona e Mirakës drejt Përrenjasit.
* Kujtim Pisha – punonjësi i karburantit, i cili është proceduar pasi nuk njoftoi policinë për informacionin që zotëronte.
* Xhino Ago ,ortak në biznes me Mëhallën, i cili akuzohet se nuk kishte ndryshuar pronësinë e “Audi”-t të përdorur në krim.
Në kërkim vijojnë:
* Armando Kola (nga Laçi)
* Marselo Arani (nga Elbasani) ,i cili jo vetëm është zhdukur, por ka thyer edhe masën “arrest shtëpie” që kishte për pastrim parash.
Figura kyçe në zbardhjen e rrjetit është Naldi Gjini, i shoqëruar fillimisht si person që kishte përdorur “Audi”-n disa ditë para vrasjes.
Por për shkak të bashkëpunimit, ai nuk është proceduar.
Gjatë njohjes me fotografitë e të dyshuarve, Gjini ka identifikuar:
Ai ka vendosur gishtin tregues tek fotot e tre personave, duke forcuar dyshimet e policisë dhe duke çuar në nisjen e kërkimeve të fokusuara.
Pamjet filmike nga një garazh te “21 Dhjetori” konfirmojnë gjithashtu prezencën e Marselo Aranit duke përdorur “Audi”-n e atentatit, pak ditë para ngjarjes.
Sipas informacioneve të konfirmuara nga autoritetet hetimore, pista më e fortë mbetet ajo e konfliktit të rëndë financiar midis Mondi Mëhallës dhe Oklid El Ouejdit ,konflikt që nisi me mosrealizimin e marrëveshjes 700 mijë euro, u përshkallëzua me dhunë fizike dhe përfundoi me vrasjen e atentatin.
Oklid El Ouejdi mbetet personi kyç që policia kërkon të marrë në pyetje. Largimi i tij drejt Maqedonisë së Veriut, lidhjet e shumta në territor dhe roli i dyshuar në porositjen e atentatit e vendosin atë në qendër të dosjes së hetimit.
Autoritetet po punojnë për lokalizimin e tij dhe kapjen e dy të kërkuarve të tjerë, ndërsa hetimet pritet të kenë zhvillime të tjera të rëndësishme në orët dhe ditët në vijim.

