I FUNDIT/ Atentati në Lezhë, ndalohet polici që qëlloi në drejtim të autorëve

44

Një efektiv policie është ndaluar me urdhër të Prokurorisë lidhur me ngjarjen e ndodhur mbrëmjen e kaluar në fshatin Rrilë, ku një berberhanë u sulmua me armë zjarri. Polici akuzohet për shpërdorim detyre, ndërsa gjatë incidentit ai ka qëlluar me armë, për të neutralizuar autorët.

Ngjarja ka ndodhur brenda berberhanes mbrëmë në 1 shkurt, ku ndodhej edhe shënjestra e atentatit. Shkëmbimi i zjarrit ka prekur edhe bizneset përballë lokalit, por fatmirësisht nuk ka pasur viktima të tjera.

Ndërkaq, janë intensifikuar kontrollet në zonën e Lezhës dhe po vijon hetimet për identifikimin e autorëve.

Sipas informacioneve hetimore, sulmi dyshohet të jetë kryer nga tre persona, njëri në rolin e shoferit dhe dy të tjerët si qitës. Autorët ishin të maskuar dhe nuk duket të kenë përvojë profesionale në përdorimin e armëve, pasi nga breshëria e plumbave është rrezikuar edhe siguria e kalimtarëve. Një kalimtar për pak ka shpëtuar nga sulmi.

Nga kamerat e sigurisë, për momentin nuk është arritur të identifikohen fytyrat e autorëve, megjithatë policia dyshon se ka identifikuar një prej tyre.

Hetimet dhe analizimi i pamjeve nga kamerat vazhdojnë.

I plagosuri, me inicialet S.D., i është nënshtruar një ndërhyrjeje kirurgjikale mbrëmjen e kaluar, pasi plumbi që ka marrë në bark ka shkaktuar hemorragji të shumta. Ai raportohet në gjendje të stabilizuar dhe jashtë rrezikut për jetën. Përveç plagës në bark, i riu ka marrë edhe dy plumba të tjerë, një në shpatull dhe një në këmbë./tvklan.al

Share This Article