Inteligjenca amerikane: Putin nuk heq dorë nga pushtimi i Ukrainës dhe synon territore të tjera të Europës

459

Raportet e inteligjencës amerikane paralajmërojnë se presidenti rus Vladimir Putin nuk ka hequr dorë nga objektivi i tij për të pushtuar të gjithë Ukrainën dhe për të rimarrë territore të Europës që dikur i përkisnin ish-Bashkimit Sovjetik, edhe pse janë duke u zhvilluar negociata për t’i dhënë fund luftës.

Sipas gjashtë burimeve të njohura me vlerësimet e shërbimeve amerikane, të cituara nga Reuters, ky qëndrim ka qenë i pandryshuar që nga nisja e pushtimit të plotë rus në vitin 2022 dhe bie në kundërshtim me deklaratat e presidentit amerikan Donald Trump dhe ekipit të tij, të cilët kanë thënë se Moska dëshiron paqe.

“Informacionet e inteligjencës kanë qenë gjithmonë se Putini dëshiron më shumë”, tha Mike Quigley, një anëtar demokrat i Komitetit të Inteligjencës së Dhomës së Përfaqësuesve, në një intervistë për Reuters.

“Evropianët janë të bindur për këtë. Polakët janë absolutisht të bindur për këtë. Vendet baltike mendojnë se janë të parët.”

Rusia aktualisht kontrollon rreth 20% të territorit të Ukrainës, përfshirë pjesë të mëdha të rajoneve Luhansk dhe Donetsk, zona në Zaporizhzhia dhe Kherson, si dhe Krimenë.

Putin i konsideron këto territore si pjesë të Rusisë dhe ka refuzuar të ofrojë kompromise thelbësore në bisedimet për paqe.

Ndërkohë, SHBA, Ukraina dhe partnerët europianë po diskutojnë një plan paqeje që përfshin garanci sigurie për Kievin, përfshirë forca europiane, mbështetje inteligjence amerikane dhe patrullime ajrore. Megjithatë, çështja e territorit mbetet pika kryesore e përplasjes, pasi presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskiy ka përjashtuar dorëzimin e tokave ndaj Rusisë.

Zyrtarë amerikanë pranojnë se mbetet e paqartë nëse Putin është i gatshëm për një marrëveshje reale, ndërsa inteligjenca amerikane vlerëson se ambiciet e tij shkojnë përtej kufijve aktualë të konfliktit.

Share This Article