Kryetari i Partisë Mundësia, njëkohësisht deputeti Agron Shehaj, akuzoi nga Foltorja e Kuvendit ditën e sotme (3 shkurt), mazhorancën dhe Kryesinë e Kuvendit, se po mban peng prej dy vitesh në kundërshtim me Kushtetutën, një interpelancë që ai ka kërkuar prej muajit korrik 2023 me zv/kryeministren Belinda Balluku.
Shehaj tha se prej dy vitesh kërkesa nuk zbatohet, kurse Belinda Balluku vijon të abuzojë e firmosë me fondet e shqiptarëve, teksa duhet t’i ishte dorëzuar drejtësisë që kërkon imunitetin dhe arrestimin e saj.
“Unë nuk e di nëse vlen apo jo Kushtetuta e Shqipërisë për ju. Neni 80 i Kushtetutës thotë se kryeministri dhe ministrat janë të detyruar t’i përgjigjen interpelancave brenda 3 javëve. Kam kërkuar para dy vjetësh, korrik 2023 interpelancë me Ballukun, jo tre javë por 2 vjet.
Doni të lejoni që Balluku të vijojë të abuzojë me fondet e parave të popullit shqiptar. Dhe nuk pyesni as për kërkesën e imunitetit, arrestimit të Belinda Ballukut. Ky është skandal i padëgjuar më parë.
problemi është se si të vidhni paratë e popullit shqiptar”, tha deputeti opozitar.
Më tej ai tha se ishte turp që ministrja të vijonte të ishte në detyrë edhe pas atyre abuzimeve skandaloze dhe akuzave, ku paratë e shqiptarëve nuk janë më të sigurta.
“Është turp ta mbani peng kërkesën dy vjet. Kurse ministrja vazhdon e firmos tenderimet. Duhet t’i jepni fund vjedhjeve të parave të popullit shqiptar, s’mund të shkelni kushtetutën, s’mund të shkelni betimin që keni bërë për shqiptarët, nuk mund të vidhni, paratë të harxhohen për shqiptarët, për ilaçet.
Nuk e di nëse do jetë më Balluku deputete e Kuvendit apo ministre, por kërkesa për interpelancë ka dy vjet zonja kryetare, dy vjet, keni dy vjet që mbroni Belinda Ballukun”, tha Shehaj.

