“Lubi Balluku me dy dosje dhe nuk i hiqet imuniteti”- Berisha: Ka vjedhur paratë e shqiptarëve! AKSHI i kunatit dhe familjes, dy persona janë marrë peng për t’u larguar nga tenderat

702

Kryedemokrati Sali Berisha e cilësoi situatën aktuale si shansin më të madh të opozitës për të reaguar, për të zënë bulevardin deri në rrëzimin e qeverisë së korruptuar, e cila jo vetëm nuk heq imunitetin e Belinda Ballukut si e akuzuar për abuzime nga SPAK e GJKKO, por madje vijojnë vjedhjet e tyre.

Ai theksoi se mazhoranca me në krye Edi Ramën donin që ta zhduknin opozitën dhe PD, por ata ia dolën të mbijetonin dhe ta kapërcenin kalvarin, kurse tani është koha për ta rrëzuar regjimin.

“Ne ia dolëm të mbijetojmë kur donin të na zhduknin. Kapërcyem një kalvar dhe ky departament është element i rezistencës në të. Ia dolëm që në fazë zgjedhore.

Donin të na shfarosnin. Por ne jemi në betejën finale dhe kjo betejë është largimi i këtij regjimi. Duhet të organizohemi se operojmë në kushtet e një autokracie”, tha ai.

Kreu i selisë blu nënvizoi se nuk ka pasur kurrë dëshmi më tronditëse për këtë qeveri se dy dosjet e bujshme së fundmi të SPAK për aferat korruptive, Balluku dhe AKSHI.

Ndaj ai bëri thirrje për sakrificë dhe protestë të pandërprerë në bulevard, deri në rrëzimin e pushtetit që e cilësoi regjim autokrat.

“Nuk ka dëshmi më tronditëse se këto për këtë qeveri. Nuk ka dëshmi konkrete nëse ne nuk rrëzojmë këta. Të jemi realist, gjithçka është hedhur, jemi para sfidës dhe çfarë kërkohet?

Sakrificë, sakrificë, sakrificë. Kërkohet të zëmë bulevardin derisa ky të qërohet dhe të shkojë para ligjit e gjykatësit për vjedhjet që ka bërë. Ndaj ky departament, Brain Gain, ka vlerat e tij, me këta të rinj që ofrojnë aftësitë e tyre të transformojnë projektin e madh për të cilin Shqipëria ka nevojë jetike”, u shpreh Berisha.

Kryetari i PD-së premtoi përfshirje dhe hapësira më të mëdha për të rinjtë dhe departamentin “Brain Gain” dhe aktivizimin e tyre me ide dhe projekte, pasi “koha kalonte dhe kohë nuk kishte më”.

“Ndaj është shans i madh përfshirja sa më e gjerë e këtij departamenti, për opozitën dhe PD-në.

Bëni gjithçka për të afruar vlerat drejt nesh dhe jam i bindur se demokratët e kanë të qartë se kjo është e domosdoshme. Ne kemi vlera mes nesh që duhet t’u japim hapësirën, dhe do ua japim, do e japim. Kam bërë bisedë informale me ta dhe ata kanë ide se ku mund të angazhohemi më shumë.

Nuk ka kohë, koha është e pamëshirshme, nuk na pret koha”, vijoi ai.

Teksa në fund akuzoi kryeministrin që po merr në mbrojtje vartësen e korruptuar dhe akuzuar nga SPAK, “duke i thurur edhe monologje e lavde”.

“Ndaj dhe ne duhet të ndërmarrim veprimtari të shumanshme. Vetëm në këtë mënyrë ne do mund t’i përgjigjemi misionit historik të përmbysjes së diktaturës autokratike të Edi Ramës. Shansit historik.

Imunitetit nuk e heq, vjedhjet s’i ndal, madje i thurte monologje e lavde Lubisë dje”, tha ai.

Share This Article