Florina Cani, nëna e Martin Canit, ka reaguar në lidhje me vdekjen e 15-vjeçarit Erion Boba, i cili ndërroi jetë pas nëntë ditësh pasi u qëllua 4 herë me thikë nga një bashkëmoshatar.
Florina Cani në një mesazh për gazetaren e Top Channel, Kristi Gongo, shkruan se i është tronditur shpirti sërish, teka thekson se shkolla duhet të vend sigurie, jo lufte.
Ndërsa më tej, nëna e Martin Canit shkruan se emrat e fëmijëve nuk duhet të ishin kurrë pjesë e lajmeve të dhunës.
“Më është tronditur shpirti përsëri. Për Erjonin kam shkruar shumë herë; dua të jem zëri i fëmijëve tanë, por e vërteta është e dhimbshme. Pse nuk reagojnë institucionet?
Shkolla duhet të jetë vend sigurie, jo lufte. Martini, Eraldo, Erjoni.
Emra fëmijësh që nuk duhet të ishin kurrë pjesë e lajmeve të dhunës, janë plagë për zemrat tona dhe alarm për gjithë shoqërinë. Unë kërkoj mbrojtje për fëmijët tanë.
Mos na i prekni fëmijët, mos na i merrni fëmijët. Zgjohuni! Merrni masa, ndaloni dhunën.
Fëmijët tanë kanë të drejtë të jetojnë”-thuhet në mesazh.

