“Mësuesit e tij janë gënjeshtarë të mëdhenj”/ Vetëvrasja e 14-vjeçarit, deklarata shokuese e të atit: Nuk ishte vetëm…

745

Babai i Paolos, nxënësit 14-vjeçar që i dha fund jetës në Itali, ka folur për herë të parë publikisht, duke deklaruar se rasti i të birit nuk lidhej vetëm me bullizimin, por me një situatë edhe më të rëndë nga sa është raportuar fillimisht.

Ngjarja e rëndë ndodhi disa ditë më parë dhe tronditi opinionin publik italian. Pas saj, drejtori dhe zv.drejtori i shkollës ku studionte Paolo u pezulluan për tre ditë nga detyra, ndërsa autoritetet nisën verifikimet për përgjegjësi të mundshme institucionale.

Prokuroria e Cassino-s ka hapur një hetim penal, duke sekuestruar biseda telefonike, dokumente shkollore dhe raportin e autopsisë. Hetimet janë fokusuar kryesisht te bashkëmoshatarët e 14-vjeçarit, të cilët dyshohet se mund ta kenë ngacmuar dhe bullizuar në mënyrë të vazhdueshme.

Në një deklaratë të fortë, babai i Paolos akuzoi stafin mësimor për fshehje të së vërtetës.

“Mësuesit e Paolos janë gënjeshtarë të mëdhenj”, u shpreh ai, duke shtuar se raportimet e inspektorëve të Ministrisë së Arsimit përputhen me atë që familja ka denoncuar prej kohësh.

Sipas tij, situata në klasë ishte shumë më e rëndë nga sa ishte paraqitur zyrtarisht. “Klasa e Paolos ishte agresive, jo ‘pothuajse agresive’. Djali im është përplasur pas murit.

A nuk është ky agresion?”, deklaroi ai me tone të ashpra.

Familja bën me dije se Paolo kishte qenë objekt ngacmimesh që në shkollën fillore. Ai fyhej shpesh nga bashkëmoshatarët, thirrej me nofka denigruese dhe izolohej për shkak të pamjes së tij, veçanërisht për flokët e gjatë biondë.

Hetimet vijojnë, ndërsa rasti ka rihapur debatin në Itali mbi bullizimin në shkolla dhe përgjegjësinë e institucioneve arsimore për mbrojtjen e nxënësve.

Share This Article