Skip to content

Ministri i Jashtëm Italian: Ne do ta njohim Palestinën si shtet, nëse Izraeli…

Posted on July 27, 2025July 27, 2025 By Isi

Ministri i Jashtëm i Italisë, Antonio Tajani, deklaroi sot se Italia mbështet zgjidhjen dy popuj, dy shtete për konfliktin izraelito-palestinez, por njohja e shtetit palestinez duhet të bëhet njëkohësisht me njohjen e shtetit të Izraelit nga pala palestineze.

“Ne jemi të interesuar për paqen, jo për fitoren e njërit mbi tjetrin,” – u shpreh Tajani në një deklaratë për gazetarët.

“Nuk mund të pranojmë më shumë masakra dhe zi buke. Ka ardhur koha për një armëpushim të menjëhershëm,” theksoi ai, duke shtuar se Italia ka pritur më shumë refugjatë nga Gaza sesa çdo vend tjetër.

Kreu i diplomacisë italiane bëri të ditur gjithashtu se Italia, megjithëse është një mike e Izraelit, nuk i ka kursyer qëndrimet kritike ndaj situatës në Gaza dhe ka kërkuar respektimin e të drejtës ndërkombëtare humanitare.

Ndërkohë, partitë opozitare italiane i bënë thirrje qeverisë së kryeministres Giorgia Meloni që të ndjekë shembullin e vendeve si Franca dhe Irlanda, duke e njohur zyrtarisht shtetin palestinez.

Në një deklaratë të përbashkët, Partia Demokratike, Lëvizja Pesë Yje, e Majta Italiane me Ekologjistët dhe partia “Më shumë Evropë” vlerësuan se ky do të ishte një “hap i domosdoshëm për rifillimin e një procesi paqeje në Lindjen e Mesme”.

Tensionet ndërkombëtare në lidhje me konfliktin në Gaza kanë intensifikuar presionin ndaj vendeve perëndimore për të ndërmarrë hapa konkretë diplomatikë në funksion të ndaljes së dhunës dhe rivendosjes së negociatave për paqe.

Aktualitet

Post navigation

Previous Post: Zjarri në Senicë, digjen disa banesa të fshatit, flakët nuk kursejnë as Kishën e Shën Dhimitrit
Next Post: Ndryshimi i Kodit Penal, procedurat si do të lirohen nga qelia personat e dënuar me burg përjetë

Copyright © 2026 .

Powered by PressBook WordPress theme