“Na u shua dera e shtëpisë” Grykshi i Madh i Peqinit në zi për tragjedinë e katërfishtë të familjes Kola, viktimat përcillen mes dhimbjes e lotëve në banesën e fundit

329

Dhimbja është e papërshkrueshme në Gryksh të Madh i Peqinit këtë të enjte.

Në çdo cep të fshatit ndihet heshtja e rëndë, lotët që nuk ndalen dhe zemrat e thyera për Artin, Jonidën, Hajdarin dhe Xhesikën Kola, familjen që u shua tragjikisht në Itali javën e kaluar, duke lënë pas një boshllëk që askush nuk di si ta mbushë.

Të afërmit mezi gjejnë fjalë për të përshkruar atë që po përjetojnë, ndërsa sot (12 shkurt) i dhanë lamtumirën e fundit.

“Na iku një familje e tërë… Na u mbyll dera e shtëpisë,” thotë mes lotësh një nga familjarët. “Arti ishte shtylla e familjes, një jetë e tërë në emigrim pa mbushur ende 14 vjeç. Ishte njeri punëtor e i qetë.

Jonida ishte zemra e shtëpisë. Fëmijët… ishin drita e syve të tyre. Si ta përballosh një dhimbje të tillë?”, shprehen ata.

Në oborrin e shtëpisë ku ishin mbledhur të afërmit, miqtë dhe me qindra e qindra bashkëfshatarë, drejtuesit e pushtetit vendor sot mbizotëronte zia.

Fqinjët qëndronin të heshtur, të mbledhur pranë njëri-tjetrit për të ndarë dhimbjen.

“Nuk kemi parë kurrë një tragjedi të tillë.

Është si të na jetë këputur një pjesë e shpirtit,” shprehet një fqinj i vjetër. “I njihnim prej vitesh. Ishin njerëz të thjeshtë, të dashur, që nuk i bënin keq askujt.”

Një tjetër banor shton:

“Fshati Gryksh i Madh sot është në zi.

Nuk është vetëm dhimbja e familjes së tyre, është dhimbja e të gjithëve ne. Hajdari dhe Xhesika ishin fëmijë të mbarë, plot ëndrra. Nuk e besojmë ende që nuk do t’i shohim më”.

Lotët, përqafimet dhe fjalët e ngushëllimit nuk mjaftojnë për të lehtësuar plagën e hapur nga kjo tragjedi e katërfishtë.

“Kjo është një dhimbje që nuk kalon kurrë,” thotë një e afërme.

“Do të jetojmë me kujtimin e tyre çdo ditë.”

Grykshi i Madh sot nuk është  një fshat në zi, është një komunitet i tërë i bashkuar në dhimbje, që përkulet me respekt para kujtimit të një familjeje që u nda nga jeta tragjikisht në dhe të huaj ,shumë herët, duke lënë pas mall, trishtim dhe një plagë që nuk do shërohet kurrë.

Ajo do të mbetet gjatë në zemrat e të gjithëve si një nga tragjeditë që lëndoi gjithkënd këndej e andej përtej detit.

Share This Article