Ndotje masive mjedisore e shkelje ligjore/ 16 në pranga në Elbasan, në kërkim 8 aksionerë

214

Operacioni, i koduar “Metalurgjiku”, u zhvillua pas një hetimi disa-mujor me metoda speciale dhe nën mbikëqyrjen e Prokurorisë, duke rezultuar në arrestimin e 16 personave, përfshirë 9 të huaj, si dhe procedimin penal të dy kompanive që merreshin me përpunim të paligjshëm të mbetjeve dhe prodhimin e ferrokromit
Drejtoria Vendore e Policisë Elbasan sot më 14 dhjetor 2025, ka përfunduar një nga operacionet më të mëdha kundër veprimtarive kriminale që dëmtojnë mjedisin në vend.

Operacioni, i koduar “Metalurgjiku”, u zhvillua pas një hetimi disa-mujor me metoda speciale dhe nën mbikëqyrjen e Prokurorisë, duke rezultuar në arrestimin e 16 personave, përfshirë 9 të huaj, si dhe procedimin penal të dy kompanive që merreshin me përpunim të paligjshëm të mbetjeve dhe prodhimin e ferrokromit.Mes të arrestuarve janë administratorë, drejtues prodhimi, inxhinierë, teknikë dhe operatorë furre. Ndër emrat kryesorë janë J.Ch, 64 vjeç, nga Koreja, P. K., 32 vjeç, nga Nepali, si dhe disa shtetas indianë dhe shqiptarë me role të ndryshme në aktivitetin e kompanive.

Në pranga përfundoi gjithashtu shefi i Sektorit të Mjedisit në Bashkinë Elbasan, i dyshuar për shpërdorim detyre dhe falsifikim dokumentesh, duke rënduar më tej çështjen.

Hetimet e përbashkëta me Inspektoratin Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit zbuluan se kompanitë nuk respektonin rregullat për menaxhimin e integruar të mbetjeve, kryenin përpunim të paligjshëm të baterive dhe shkaktonin ndotje të vazhdueshme të mjedisit në zonën e ish-Metalurgjikut në Bradashesh.

Për këto shkelje janë vendosur gjoba të rëndësishme dhe pezullim i aktivitetit deri në përputhje me kërkesat ligjore.

Gjithashtu, janë shpallur në kërkim 8 aksionerë të kompanive për veprat penale si ndotja e ajrit, ujërave dhe tokës, fshehja e të ardhurave, punësimi i paligjshëm dhe pastrimi i produkteve të veprës penale. Policia njofton se po vijon intensivisht punën për kapjen e tyre.

Gjatë operacionit u sekuestruan celularë dhe pajisje DVR, të cilat u përdorën si prova për Prokurorinë e Elbasanit.

Share This Article