“Një plumb e ka kapur në kokë”/ Vëllai i “Rrumit të Shijakut” në GJKKO: Sot është gati invalid

693

Vullnet Muça, vëllai i Aleksandër Lahos, i njohur ndryshe si “Rrumi i Shijakut”, ka dëshmuar në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), lidhur me atentatin ndaj ish-prokurorit Arjan Ndoja, në vitin 2019 te mbikalimi i Shkozetit, ku Laho mbeti i plagosur rëndë.

Në dëshminë e tij, Muça deklaroi se në atë kohë jetonte në Sukth dhe nuk kishte asnjë lidhje me të pandehurit. “Kam dëgjuar vetëm emrin Plaurentin, që janë nga Durrësi, por nuk i njoh,” – tha ai.

Ai tregoi se për plagosjen e vëllait kishte mësuar nga televizori, ndërsa ndodhej në palestër. “Më pas mora vesh që ka qenë në makinë me Andi Malokun dhe Arjan Ndojin, duke ardhur nga rruga e plazhit.

Kur shkova në spital, na ra si bombë. Nuk kishim pasur asnjë konflikt me askënd,” – u shpreh Muça.

Sipas tij, Aleksandër Laho ka mbetur me pasoja të rënda shëndetësore dhe është thuajse invalid. “Ai thotë se janë qëlluar nga mbrapa dhe një plumb e ka kapur në kokë.

Nuk mban mend asgjë. Mjekët thonë se ka pësuar traumë,” – shtoi ai.

Deklarata në GjKKO:

“Në 2019 kam jetuar në Sukth. Të pandehurit, nuk i njoh, kam dëgjuar si emër Plaurentin, se të dy nga Durrësi, por s’kam lidhje me të.

Aleksandër Lahon e kam vëlla.

Në 2019 e kanë plagosur, e kam parë nga televizori, isha në palestër. Më mbrapa mora vesh që ka qenë në mjet me Andi Malokun, Arjan Ndojin. Po vinte nga rruga e plazhit.

Pasi shkova në spital na ra si bombë, se me këto palë nuk kemi pasur asnjë konflikt, pse u bë, qysh u bë.

Sepse ai ka qenë shumë i aksidentuar, edhe sot është gati invalid. Ai thotë ‘na kanë gjuajtur nga mbrapa’ dhe një plumb e ka kapur në kokë, andaj ai s’mban mend asgjë’.

Doktorët thonë ka pësuar traumë. Jemi munduar të dimë të vërtetën, se me këta njerëz nuk kemi lidhje.

Informacionet më të detajuara i ka shteti. Nuk mund ta di se nuk kemi pasur njeri më para. Kanë ardhur njerëz për vizitë.

Arjan Ndojën e kam takuar nja 2-3 herë.

Ka thënë t’ia lëmë kohës, se nuk e dinim nga na kishte ardhur. Me familjen e Andi Malokut njihemi si bashkëfshatarë.”

Share This Article