Një i afërm i familjes Kola, që u shua tragjikisht pas helmimit me monoksid karboni në banesën e tyre në Itali, tregoi se ata ishin njerëz të shkëlqyer dhe se për herë të fundit janë takuar për fundvit, pasi kishin ardhur për të festuar në atdhe.
Në një intervistë me moderatoren e emisionit “Me Zemër të Hapur”, Evis Ahmeti, ai tregoi se Arti kishte ardhur për fundvit bashkë me bashkëshorten dhe vajzën 15-vjeçare dhe se kishin konsumuar një kafe.
Ai tha se kryefamiljari ka qenë emigrant prej 25 vitesh në Greqi, ndërsa viteve të fundit kishte shkuar në Itali. I afërmi shtoi se vetëm 4 vite më parë, kishte mundur që të bënte letrat edhe për familjen dhe i kishte marrë në shtetin fqinj.
“Jam kushëri i afërt me familjen Kola. Për ne ka qenë shumë familje e mirë, e rregullt.
Çfarë të flasim ne për atë familje. Ne e mësuam dje në orën 9 të mëngjesit. Më mori djali në telefon nga Italia, ka ndodhur një tragjedi në familjen Kola.
Na ka ardhur shumë keq për atë familje. Takimi i fundit ishte për Vit të Ri, Altini po i thonë Alti ka qenë për vit të ri me nusen dhe vajzën, konsumuam edhe kafe. Kaloi festën dhe më pas u largua.”, shtoi ai.

