Shehaj: Ju kemi bërë një kërkesë, zoti Kryetar, në lidhje me dosjen e Belinda Ballukut. Keni mbi një muaj që keni marrë nga SPAK një dosje që i është drejtuar Kuvendit dhe që ju është dhënë për t’ua përcjellë deputetëve, pasi ne duhet të votojmë për heqjen e imunitetit.
Ju këtë dosje e keni kyçur në kasafortë dhe e keni shpërndarë vetëm te një grup deputetësh, të cilët, rastësisht, nuk kanë thënë asnjë fjalë në lidhje me këtë çështje. Në këtë Parlament, ajo dosje është sikur nuk ekziston.
E keni zhdukur, e keni ndarë mes njëri-tjetrit dhe po mbroni një të akuzuar për abuzim me fondet e shtetit.
Zoti Kryetar, kjo nuk është vetëm një shkelje e Rregullores dhe e Kushtetutës. Me këto veprime, ju po mbroni korrupsionin me postin tuaj. Po mbroni të korruptuarit, dhe kjo është e papranueshme.
Kërkojmë që sa më shpejt të na vihet në dispozicion dosja, sepse na takon me të drejtë, jo si një favor nga ana juaj.
Përndryshe, do ta dërgojmë çështjen në Gjykatën Kushtetuese dhe përgjegjësia do të mbetet mbi ju, sepse do të jeni i vetmi Kryetar i Kuvendit të Shqipërisë që ka fshehur një dosje komprometuese ndaj zëvendëskryeministres Belinda Balluku. Është detyra juaj të garantoni transparencë.
Duhet ta bëni publike dosjen. Qytetarët duhet të dinë nëse ka pasur abuzime, si janë kryer ato, kush mban përgjegjësi — qeveria, kryeministri, mazhoranca apo edhe opozita, nëse ka lidhje me këto abuzime të pretenduara, që flitet se kapin vlerën e të paktën 1 miliard euro.
Mjaft mbrojtët të korruptuarit.

