Çarmatosja e BKH-së ishte provë force e Ramës, jo “incident” teknik
Edi Rama, jo rastësisht hodhi një frazë bombastike në podkastin e së dielës. Ai e dinte se çfarë po bënte dhe pse po e thoshte. E dinte mirë që do kthehej në kryetitull, për faktin se e ka thënë kryeministri.
“Incidenti” që përmendi nuk ishte as i ri dhe as i padëmshëm.
Ai kishte ndodhur prej kohësh në Kryeministri dhe kishte alarmuar seriozisht partnerët ndërkombëtarë, pikërisht sepse përbënte një ndërhyrje të drejtpërdrejtë të pushtetit ekzekutiv ndaj drejtësisë së re.
Për këtë ngjarje ka pasur përplasje të forta, jo vetëm verbale, mes Edi Ramës dhe përfaqësuesve të rëndësishëm diplomatikë e politikë. Nga njëra anë qëndronin SPAK dhe BKH, pra SHBA dhe BE. Nga ana tjetër qëndronte vetë kryeministri.
Ishte një provë force e hapur, ku secila palë testoi kufijtë.
Por çfarë ndodhi realisht?
Oficerët e BKH-së nuk shkuan për herë të parë në Kryeministri. Ata kanë hyrë edhe më parë, në disa raste, gjithmonë me mandat të GJKKO-së, për të marrë dokumente, për të komunikuar me persona që kishin dijeni për hetime penale apo për të sekuestruar materiale zyrtare. Kjo ka ndodhur edhe në hetimin e inceneratorëve, ku janë tërhequr vendime origjinale të Këshillit të Ministrave.
Asnjëherë nuk janë penguar.
Këtë herë ndodhi ndryshe.
Oficerët e BKH-së jo vetëm u ndaluan, por u çarmatosën. Ky veprim nuk ishte procedurë sigurie. Ishte mesazh politik.
Ishte përplasje territori. Ishte thirrja e qartë: “Këtu nuk hyni”.
Këtë frazë e kishte artikuluar publikisht edhe Baton Haxhiu, zëri mediatik i Edi Ramës, një muaj më parë, kur shkroi se kishte një kufi që drejtësia nuk mund ta kalonte. Ajo që ndodhi në Kryeministri ishte zbatimi praktik i kësaj doktrine.
Ngjarja përbën një puç institucional në kuptimin e plotë të fjalës.
Byroja Kombëtare e Hetimit nuk është polici e qeverisë. Nuk është nën varësinë e Ministrisë së Brendshme. Nuk është strukturë administrative.
Është polici gjyqësore e drejtësisë speciale, e krijuar për të hetuar pikërisht qeverinë, korrupsionin e nivelit të lartë dhe krimin e organizuar.
Kur BKH hyn në një institucion shtetëror, nuk hyn sipas dëshirës. Hyn me mandat prokurorie dhe vendim gjykate. Çarmatosja e saj nga Garda është një akt flagrant i paligjshëm dhe provokativ.
Një akt që rikthen kujtesën te 21 janari 2011, kur Sali Berisha përdori gardistët për të bllokuar drejtësinë.
BKH nuk është polici e zakonshme. Është struktura ku uniformat blu nuk hyjnë. Ka kompetencë ekskluzive për korrupsionin e pushtetit të lartë.
Dhe pikërisht për këtë arsye, ndërhyrja e Gardës nuk ishte “incident”, por sfidë.
Ajo që Rama tentoi nuk ishte çarmatosja teknike e disa oficerëve. Ishte ultimatum politik ndaj ndërkombëtarëve. Ishte përpjekje për të treguar se Kryeministria është kulla e tij dhe se aty vendos ai.
Por mesazhi që mori nuk ishte ai që priste.
Siç mësohet, askush nuk u frikësua nga ulërimat e kryeministrit. Përkundrazi, i është bërë e qartë se Kryeministria nuk është pronë private. Nuk është fortesë personale.
Është ndërtesë shtetërore. Dhe pushteti aty është me qira.
Madje, siç thuhet me ironi të hidhur në qarqet diplomatike, “edhe Parkun e Edenit e ka pa leje”. Dhe qiratë, herët a vonë, mbarojnë.
Ky ishte thelbi i incidentit.
Dhe për këtë arsye, Rama e solli në podkast. Jo për ta shpjeguar, por për ta normalizuar. Por ajo që ndodhi nuk ishte normale.
Ishte paralajmërim i rrezikshëm për ndarjen e pushteteve. Dhe ky është momenti ku loja e vjetër e forcës fillon të kthehet kundër atij që e nisi.

