Në Gjykatën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar vijoi këtë të martë procesi gjyqësor në ngarkim të grupit të Laert Haxhiut, ku u debatua gjerësisht mbi besueshmërinë e bashkëpunëtorit të drejtësisë, Artan Tafani.
Gjatë seancës, avokati Aldo Duro i kërkoi trupës gjykuese që Tafani t’i nënshtrohet një vlerësimi psikologjik, duke ngritur dyshime mbi gjendjen e tij mendore dhe aftësinë për të dhënë dëshmi të besueshme.
“Edhe njëherë përsëris kërkesën time për vlerësim psikologjik për bashkëpunëtorin e drejtësisë Artan Tafani.
Ai jo vetëm ka qenë përdorues i drogave, të llojit kokainë dhe heroinë, por vazhdon trajtimin me metadon, një substancë e cila krijon varësi po njësoj”, deklaroi Duro.
Të pandehurit kundërshtuan dëshmitë e Tafanit, duke mohuar çdo lidhje me Laert Haxhiun dhe ngjarjet për të cilat akuzohen. Erisiano Abedini u shpreh se nuk e ka takuar asnjëherë Haxhiun dhe se nuk ka as lidhje miqësore e as profesionale me të.
“Unë me këta persona nuk jam as mik, as armik, asgjë.
Nuk më lidh as profesioni, as miqësia me Laert Haxhiun. Kam tjetër profesion dhe tjetër miqësi. Vlerësojeni pak këtë”, tha ai.
Ndërsa Bujar Abedini theksoi se kërkesa e tij e vetme është drejtësia: “Unë nuk dua as mëshirë, asgjë, dua vetëm drejtësi.”
Nga ana tjetër, Aldo Shkëmbi kërkoi që mbrojtja të njihet me të gjitha aktet procedurale, duke sqaruar se nuk kanë interes për materiale që lidhen me persona jashtë objektit të këtij gjykimi.
Prokurori i çështjes, Behar Dibra, kundërshtoi kërkesat e mbrojtjes, duke sqaruar se ekziston një hetim tjetër paralel dhe se aktet e kërkuara nuk lidhen me procesin aktual.
Sipas tij, kërkesa ishte e pabazuar në ligj dhe pa interes për çështjen në shqyrtim.
Gjatë dëshmisë së tij, Artan Tafani dha detaje të rënda lidhur me vrasjen e Fridman Xhaferrit, duke përshkruar momentet e fundit të viktimës dhe mënyrën se si trupi u hodh në ujë.
Ai deklaroi se Xhaferri ishte ende gjallë kur u fut për herë të parë në ujë dhe se ndërroi jetë më pas, pasi u lidh me gurë.
Tafani iu drejtua drejtpërdrejt të pandehurve, duke thënë: “Shoku juaj më mori në qafë mua, Laerti.”
Pas këshillimit në dhomën e këshillimit, trupi gjykues vendosi të pranojë kërkesën e të pandehurve për kundërshtimin e dëshmisë së Artan Tafanit të dhënë gjatë këtij gjykimi, në raport me deklarimet e tij në fazën paraprake. Gjykata vendosi që të gjitha procesverbalet përkatëse të bëhen pjesë e fashikullit gjyqësor dhe do të vlerësohen për të shqyrtuar besueshmërinë e bashkëpunëtorit të drejtësisë.
Procesi pritet të vijojë me shqyrtimin e mëtejshëm të provave dhe dëshmive në seancat e ardhshme.

