Shehaj: AKSHI në duart e bandave, kanë ndërhyrë në Kadastër dhe kanë ndryshuar pronarët!

17

Kryetari i Partisë Mundësia, Agron Shehaj, ka ngritur dje alarmin për rrezikun serioz që paraqet AKSHI për sigurinë e të dhënave personale dhe pronat e qytetarëve shqiptarë. Në një mesazh në rrjetet sociale, Shehaj deklaroi se AKSHI ka në dorë çdo informacion jetik për qytetarët, përfshirë të dhënat e pronësisë, shëndetit, biometriket, lëvizjet, gjobat dhe llogaritë bankare, duke theksuar se ky është një rrezik i madh për çdo qytetar nën dritën e zbulimit nga SPAK se AKSHI kontrollohet nga bandat kriminale.

Shehaj theksoi se sipas hetimeve të SPAK-ut, përmes AKSHI-t janë kryer ndërhyrje të paligjshme në Kadastrën Shtetërore, ku janë ndryshuar pronarë pronash. “Para disa ditësh, një miku im më shkruajti e më tha: “Mora përgjigje të analizave të gjakut në e-Albania.

Çfarë do të thotë kjo, që Mirlinda Karçanaj dhe banda e saj, apo edhe qeveria, dinë çdo lloj informacioni? Dinë edhe përgjigjet e analizave të gjakut që mora unë?” Përgjigja është: Po! Absolutisht, po.

Por jo vetëm kaq. Çfarë është më e rëndë, është që SPAK-u ka zbuluar që, nëpërmjet AKSHI-t, kanë futur duart në Kadastrën, kanë ndryshuar pronarët e disa pronave dhe për këtë po heton SPAK-u. Është e paimagjinueshme pushteti që ka AKSHI, dhe drejtoresha e Edi Ramës që vazhdon të jetë në detyrë, pavarësisht se SPAK-u e ka vendosur në arrest në shtëpi.

Mund të fusin duart kudo!

Kanë në dorë pronat tona. Kanë çdo lloj informacioni që ka të bëjë me jetën tonë të përditshme: nga gjendja jonë shëndetësore, sëmundjet, ilaçet, hyrjet dhe daljet në Shqipëri, gjobat që marrim. Çdo lloj informacioni që kalon nëpërmjet AKSHI-t është në dorë të Mirlinda Karçanaj, për të cilën SPAK-u thotë që është pjesë e një bande kriminale.

Dhe Edi Rama vazhdon ta mbajë në detyrë. Duhet të zgjohemi! Është skandal ajo që po ndodh.

Jeta jonë, jeta e çdo qytetari të Shqipërisë, është në duart e Mirlinda Karçanaj, një anëtare e një bande kriminale, që Edi Rama vazhdon ta mbajë në detyrë”, shprehet Shehaj në rrjetet sociale.

Share This Article