Zhvillime të rëndësishme pritet të ndodhin në Kuvend në lidhje me çështjen e Belinda Balluku, pasi Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, pritet të publikojë të hënën urdhrin për thirrjen e mbledhjes së Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin. Në fokus do të jetë kërkesa e SPAK për heqjen e imunitetit të Ballukut dhe hapjen e rrugës për arrestimin e saj.
Sipas burimeve për News24, në urdhrin që pritet të firmoset do të përcaktohet data dhe ora e mbledhjes së Këshillit të Mandateve dhe Imunitetit, ku do të diskutohen çështjet që lidhen me kompetencat e këtij organi parlamentar. Mbledhja vjen në një moment delikat politik dhe institucional, pasi disa ditë më parë Gjykata Kushtetuese rrëzoi qeverinë dhe la në fuqi pezullimin nga detyra të Ballukut si zëvendëskryeministre dhe ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë.
Masa e pezullimit ishte dhënë më herët nga GJKKO, ndërsa tashmë çështja ka hyrë në një fazë të re procedurale.
Mbetet për t’u parë nëse Këshilli i Mandateve, i drejtuar nga Peleshi, do ta marrë menjëherë në shqyrtim kërkesën e Prokurorisë së Posaçme apo nëse do të ketë shtyrje të mëtejshme.
Prej muajit dhjetor, Partia Demokratike ka kërkuar vazhdimisht mbledhjen e Këshillit dhe shqyrtimin me urgjencë të kërkesës së SPAK. Sipas opozitës, Prokuroria ka argumentuar se Balluku, duke qëndruar në detyrë, rrezikonte të prishte provat dhe të intimidonte dëshmitarët. Nga ana tjetër, përfaqësuesit e mazhorancës socialiste kanë theksuar se duhej pritur më parë vendimi i Gjykatës Kushtetuese për pezullimin dhe më pas të procedohej me çështjen e imunitetit.
Ky qëndrim ka shkaktuar debate të forta politike dhe juridike.
Sipas disa interpretuesve, masa e pezullimit konsiderohej e tejkaluar dhe kërkesa e re e SPAK mbështetet në prova shtesë, çka sipas Prokurorisë justifikon heqjen e imunitetit për të mundësuar vendosjen e një mase më të rëndë sigurie, si arresti në shtëpi apo arresti me burg.
Kujtojmë se Belinda Balluku është marrë zyrtarisht e pandehur për shkelje të barazisë në tenderin e tunelit të Llogarasë, ndërsa ndaj saj po zhvillohen hetime edhe për procedura të tjera tenderuese, përfshirë Lotet e Unazës së Madhe. Çështja ka një impakt të fortë politik dhe institucional, duke përfshirë nivele të larta të qeverisjes dhe institucione kyçe të drejtësisë.
Vendimi i Këshillit të Mandateve pritet të jetë përcaktues për ecurinë e mëtejshme të procedurave. Nëse kërkesa e SPAK pranohet dhe imuniteti hiqet, atëherë do t’i hapet rruga një vendimmarrjeje të re nga GJKKO për masën e sigurisë ndaj Ballukut.
Në të kundërt, situata mund të marrë një tjetër drejtim procedural dhe politik, me pasoja të rëndësishme për balancat institucionale në vend.

